Koçi: Do krijojmë Unionin
Socialist për Demokraci
PSV po punon për krijimin e Unionit Socialist për Demokraci, ku do të integrohen parti dhe faktorë të përjashtuar me dhunë nga përfaqësimi politik. Sipas kryetarit të kësaj partie, Petro Koçi, ky Union do të dijë të kombinojë luftën për pushtet me sakrificën për demokraci. “Edhe sindikatat mund të jenë pjesë e këtij projekti politik. Gjithashtu shpresoj që brenda PS të ketë iniciativa reformash dhe lëvizjesh që e shpëtojnë partinë dhe socialistët nga nënshtrimi. Ne jemi të hapur për bashkëpunim me iniciativat brenda PS, që aspirojnë për një parti ndryshe nga PD”, tha Koçi. Ai ka evidentuar se kriza do jetë në vazhdimësi për sa kohë do të jetë në fuqi sistemi i pluralizmit me vetëm dy persona politikë. “Në bazë të këtij sistemi gjendja politike do të jetë fatkeqësisht në mëshirë të humorit politik të njërit prej dy pronarëve të shtetit aktual. Vendi ka nevojë për shtimin e aktorëve në funksion të pluralizmit, si edhe për çlirimin e partive nga privatizimi”, deklaroi kreu i PSV91.
#