E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli, letër diplomatëve kundër PS

TIRANE-Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u ka dërguar institucioneve ndërkombëtare një letër sqaruese në lidhje me vendimin e fundit të maxhorancës për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Topalli i ka bashkangjitur kësaj letre edhe vendimin e seancës parlamentare të 19 marsit, së bashku me emrat e anëtarëve të maxhorancës që do të jenë pjesë e këtij komisioni. Dy materialet u bënë publike nga deputeti socialist, Fatmir Xhafaj në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”, në News24. Sipas tij, kjo është në shkelje të rregullores dhe të procedurave, pasi emrat e anëtarëve nuk u paraqitën paraprakisht në emër të grupit. Nga ana tjetër, në letrën sqaruese edhe pse pa u përfshirë në asnjë pikë të vendimit për ngritjen e komisionit, Topalli njofton institucionet ndërkombëtare se “ky komision do të jetë në gjendje të investojë, sipas ofertës së shumicës dhe angazhimin e 100 prokurorëve, të cilët bazuar në fakte dhe prova mund të ndërmarrin çdo akt; hapjen e kutive të votimit, rinumërimin dhe çdo vendim tjetër të nevojshëm për të plotësuar nevojat e tyre”. Më pas, sqaron Topalli në këtë letër, “Zoti Rama e ka refuzuar këtë ofertë për të vetmen arsye, se ai nuk do t’u paraqesë edhe një fakt të vetëm prokurorëve”. Topalli shprehet në këtë letër se, me këtë vendim që ka marrë maxhoranca lejohet një transparencë e plotë, në respekt të Kushtetutës dhe të ndarjes së pushteteve, si dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese; lejohet çdo lloj hetimi për çdo lloj çështjeje që ka të bëjë me zgjedhjet, përveç atyre për të cilat ka vendim gjykate”. Topalli sqaron në këtë letër gjithashtu se në mungesë të një deklarate nominale të 45 deputetëve socialistë që tërhiqen nga nisma ligjore, u bë e detyrueshme që vendimi për të ngritur komisionin hetimor të miratohej vetëm me votat e maxhorancës.
Xhafaj
Ndërkohë, në komentet e tij për këtë ketër, deputeti socialist, njëherësh edhe sekretar për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj tha se “nuk ka transparencë pa hapje të kutive”. Ai e quajti “falsifikim” dhe “shkelje të rëndë” vendosjen e emrave të anëtarëve të maxhorancës në vendimin për ngritjen e komisionit hetimor. Po kështu, në lidhje me sqarimin që Topalli bën se do të vihen në dispozicion 100 prokurorë, Xhafaj thotë se kjo nuk është e përcaktuar në asnjë pikë të vendimit, por u shpreh Xhafaj, “po e ka thënë Sali Berisha, ky është ligj për kryetaren e Kuvendit”. “Në ofertën që bën, zoti Berisha bie në kundërshtim me veten. Ai sjell një ofertë që është antikushtetuese dhe në kundërshtim me ligjin organik të funksionimit të prokurorisë, por është edhe jashtë qëllimit që kemi kërkuar ne. Ne nuk kemi kërkuar hetim penal”, - tha Xhafaj. Ai deklaroi dje gjatë intervistës për Neës24 se, PD-ja nuk ka një ofertë për zgjidhjen e krizës, por ky vendim është vetëm një deformim i nismës së socialistëve. Sipas Xhafajt, një zgjidhje mund të ishte edhe hetimi apo hapja e kutive në gati 80% të qendrave, për të cilat nuk ka vendim gjykate. Sipas tij, pritet që grupi parlamentar i PS-së të marrë një vendim sot apo nesër në lidhje me marrëdhënien ndaj parlamentit këtej e tutje.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›