E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli nxit debate për historinë në Maqedoni

SHKUP- Fjalimi i kryeparlamentares shqiptare Jozefina Topalli në Parlamentin e Maqedonisë ka nxitur debate në mediat maqedonase.

Pikërisht pjesa e fjalimit ku ajo flet për të dhënat historike se kush ka çliruar Shkupin dhe përmendja e shqiptarëve ka shkaktuar kritika në adresë të kryeparlamentares Topalli.

“Këtë vit ne shqiptarët festojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, festojmë 100-vjetorin e flamurit tonë. Në këtë përvjetor kujtojmë me respekt dhe nderim kontributin që dha popullsia e kësaj treve në çlirimin nga sundimi osman. Ishte pikërisht këtu kur në shkurt 1844, 10. 000 kryengritës nën drejtimin e Dervish Carës, çliruan Shkupin dhe paraqitën kërkesën e parë për autonomi. Që nga ajo kohë Shkupi, Manastiri dhe Dibra u bënë nga qendrat kryesore të lëvizjes shqiptare për çlirim kombëtar”, kjo ishte pjesa e fjalimit që ka shkaktuar debate edhe në qarqet akademike dhe historianët maqedonas.

Instituti Maqedonas i Historisë në Shkup ka mohuar faktet e hedhura nga ana e zonjës Topalli, duke shtuar se pikërisht Dervish Cara ka qenë një shërbëtor i turqëve, që është organizator i një kryengritjeje kundër regrutimit të myslimanëve në ushtrinë osmane.

“Këto janë vetëm keqpërdorime nacional -romantike të historisë për qëllime politike”, kanë theksuar nga Instituti i Historisë në Shkup.

Nga ana tjetër, pranë Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup theksuan se fjalimi i zonjës Topalli mbështetet në fakte të shumta historike dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë keqpërdorim apo manipulim të historisë. (INA)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›