E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli përshëndet parlamentit e Bullgarisë/ Fjala e plotë

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, mori pjesë sot në një event historik për procesin e integrimit të Shqipërisë, ratifikimin nga Parlamenti Bullgar I protokollit të anëtarësimit të Shqipëreisë e Kroacisë në NATO.
Me ftesë të Kryetarit të Kuvendit të republikës së Bullgarsië, Georgi Pirinski, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë si edhe homologu I saj kroat Luka Bebic, asistuan në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Bullgarisë, seancë gjatë së cilës u ratifikua protokolli I anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.
Bullgaria është kështu vendi I shtatë që ratifikon këtë protokoll brenda një muaji.
Kryetarja e kuvendit ishte gjithashtu e ftuar në mënyrë të vecantë të mbante një fjalë përpara parlamentarëqve bullgarë.
Në nisje të fjalës e saj para deputetëve të Kuvendit të Bullgarisë, Kryetarja e Kuvendit e cilësoi si një event historic, si një privilegj të vecantë adresimin këtij Parlamenti, “në një ditë kaq të vecantë, kur një vend tjetër mik ratifikon protokollin e pranimit të Shqipërisë në NATO”.
Kryetarja e Kuvendit , në fjalën e saj në mënyrë të vecantë është ndalur në një ekspoze të reformave të ndërmarra nga Shqipëria në procesin e integrimit, reforma të vlerësuara nga raportet ndërkombëtare.
“Ne mundëm të ecim përpara falë mbështetjes së popujve miq, ne e mbajtëm gjallë ëndrrën evropiane dhe e cuam atë më tej; në ndërmorëm reforma të guximshme dhe arrtiëm transformime kolosale dhe të gjitha këto në sajë të lidershipit të fortë, angazhimit, vendosmërisë , përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë”- ka theksuar Kryetarja e Kuvendit.
“Reformat tona janë të pakthyeshmë ndaj edhe Shqipëria do t’ia dalë mbanë për tu renditur në krah të vendeve anëtare te BE-së.. Zemra e madhe shqiptare nuk na ka lënë në baltë dhe nuk do të na lërë sot, më shumë se kurrë. Shqipëria është tashmë në prag në të NATO-s dhe në paradhomën e BE-së.”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka falenderuar parlamentarët bullgarë për mbështetjen dhe vlerësimin me këtë votë pro protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

e zonjës Topalli

I nderuar z.Kryetar i Parlamentit

Të nderuar deputetë,
Të dashur kolegë,
Zonja dhe Zotërinj,

Është nder dhe një privilegj i veçantë, për mua, t’i adresohem Parlamentit Bullgar pikërisht sot, në një ditë të veçantë - një vend tjetër mik sapo ka ratifikuar Protokollin e pranimit të Shqipërisë në NATO.
Kjo bën që Shqipëria t’i afrohet, një hap më pranë, anëtarësimit me të drejta të plota në këtë Aleancë të mrekullueshme të lirisë.
Shqipëria, Bullgaria dhe vendet e tjera të territorit që njihet me emrin e maleve tuaja Ballkan kanë qenë, gjatë, pjesë organike e të njëjtit komonuellth romak, bizantin, bullgar, osman dhe së fundi, fatkeqësisht, edhe atij komunist. Ata kanë jetuar, gjatë, nën të njëjtën çati pa kufij politikë dhe me dyer të mbyllura.
Në Bullgari, studiuesit tuaj dëshmojnë enklava ilire të shek VII para Krishtit dhe në Ballsh të Shqipërisë zbulohet akti i pagëzimit të Borisit në fenë e krishtere. Kryeqyteti i perandorisë bullgare të Samuelit ishte Ohri dhe në Bullgari ndodhet fshati Arbanas me arkitekturë tipike shqiptare.
Ndërkohë ne dhe i tërë Ballkani jemi pjesë e të njëjtit mozaik Europian dhe nëse mungon një pjesë e mozaikut, mozaiku nuk perceptohet dot si i tillë.
Nëse i hedhim një sy itinerareve të vjetër rrugorë, hartave të Ptolemeut, Tabula Peutingerianas, Itinerarit Hierosomylitan shohim se arteriet janë po ato, si mijëra vjet më parë.
Pikërisht në këto arterie kanë pulsuar për mijëra vjet karvanët, mallrat, tregtarët dhe më së pari kultura, doket dhe folklori i afërt. Përgjatë tyre, si perlat në kolanë u rreshtuan kështjellat, manastiret, urat, pazaret dhe shtëpitë, të ngjashme me njëra tjetrën, në një raport diversiteti brenda unitetit europian.
Unë ndihem shumë krenare dhe e lumtur që më jepet mundësia t’Ju ofroj një ekspoze të përmbledhur të hapave të ndërmarrë nga vendi im në kuadrin e proceseve integruese.
Aktualisht, Shqipëria është shumë pranë anëtarësimit në NATO; ajo është në mbyllje të ciklit të ratifikimit nga vendet e BE-së të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Bashkimin Europian, gjë që padyshim përbën një hap thelbësor drejt anëtarësimit të saj në BE.
Unë mendoj se Shqipëria ia doli mbanë t’i sigurojë këto pasaporta kualifikuese falë përpjekjeve të saj të parreshtura dhe të qëndrueshme për të ndërmarrë reforma; falë progresit reformues të arritur në fusha të ndryshme; falë dëshirës konstante për të ecur përpara drejt familjes së madhe europiane së cilës ne i përkasim.
Integrimi i Shqipërisë në NATO dhe BE mbështetet nga të gjitha forcat politike dhe rreth 95% e popullsisë, sepse si pjesë e tyre, shqiptarët konsiderojnë të ardhmen të sigurt dhe të begatë.
Për të arritur këtë stad, ku jemi sot, popullit shqiptar i është dashur të kalojë një rrugë të gjatë dhe të vështirë. Kemi vuajtur shumë, për vite me radhë, dhe historia jonë kombëtare i ngjan një vargani të gjatë dhimbjesh e vështirësish.
Një prej diktaturave më të egra komuniste në Europë u përpoq me të gjitha mënyrat për të shkatërruar shpirtin e popullit shqiptar; u përpoq të shuante vlerat, të cilat ne i mbrojmë fort; u përpoq aq shumë të mjegullonte vizionin dhe aspiratat e kombit tonë; u përpoq të shkatërronte, njëherë e përgjithmonë, sistemin tonë të besimit, vokacionin tonë perëndimor.
Por në këtë varg të gjatë fatkeqësish, vlera më e natyrshme dhe më e çmuar, ëndrra europiane, vazhdoi të ndriçonte, e rrënjosur thellë në identitetin tonë europian.
Ne mundëm të ecnim përpara falë mbështetjes së popujve miq; ne e mbajtëm gjallë ëndrrën europiane dhe e çuam atë edhe më tej; ne ndërmorëm reforma të guximshme, dhe arritëm transformime kolosale.
Dhe të gjitha këto u arritën në sajë të lidershipit të fortë, angazhimit, vendosmërisë, përgjegjshmërisë dhe besueshmërisë. .
Pas rreth 18 vjetësh, kur lamë pas njëherë e përgjithmonë regjimin totalitar, Shqipëria ka kthyer tashmë një faqe të re: nga historia e mbijetesës në historinë e ndryshimit, të transparencës dhe të progresit.
Sot, është një Shqipëri që luan një rol të rëndësishëm moderator në rajon. Gjatë këtyre viteve, për të arritur pikërisht këtu ku jemi sot, Shqipërisë i është dashur të përballet me mjaft sfida. Por ne të gjithë, gjithashtu, jemi të ndërgjegjshëm se shumë sfida të tjera na presin në të ardhmen.
Dëshiroj të theksoj se nuk ishte e lehtë, madje nuk ishte aspak e lehtë, por sot unë ndihem krenare që falë reformave të shumta politike, ekonomike dhe sociale të ndërmarra me kaq përpjekje e mundim gjatë këtyre viteve të fundit, ne bëmë të mundur që shqiptarët të përjetojnë ngjarje të shënuara historike.
Në prill 2008, ne ia dolëm mbanë të marrim ftesën e anëtarësimit në NATO dhe besojmë fuqimisht se Shqipëria do të bëhet anëtare me të drejta të plota e kësaj Aleance vitin që vjen, sepse po rritet cdo ditë numri i vendeve që po e ratifikojnë protokollin e NATO-s, sikurse kemi besim të plotë që brenda këtij viti do të përfundojë ratifikimi i MSA me BE-në, gjë që do t’i lejojë Shqipërisë të kërkojë statusin e kandidatit në BE.
Shqipëria, falë vendosmërisë për “tolerancë zero kundër krimit” dhe performancës në këtë kontekst, nuk është më pjesë e hartës së vendeve trafikuese.
Në të vërtetë, Shqipëria nuk është vetëm një vend i sigurt, por ajo reflekton paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin.
Edhe raporti i fundit i Transparency International vlerësoi me nota të larta Shqipërinë për performancën qeverisëse të saj.
Gjatë këtyre viteve të fundit, Shqipëria ka ndërmarrë një revolucion të vërtetë fiskal. Si rezultat i luftës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, është bërë e mundur rritja e të ardhurave të buxhetit me 23%. ndërsa investimet publike në infrastrukturë janë rritur katër herë.
Gjithashtu, janë kufizuar abuzimet dhe reduktuar kostot administrative me 30 %.
Aktualisht, rritja ekonomike kombëtare vjetore është më shumë se 6% dhe inflacioni është 3%.
Shqipëria, me një taksë të sheshtë prej 10%, është kthyer në një vend tërheqës për investimet dhe për turizmin; ajo shënon një rritje prej 70% të investimeve të huaja direkte.
Lidhur me kursimet e shqiptarëve, vetëm vitin e kaluar ato u rritën me 19 %.
Raporti më i fundit i Bankës Botërore “Doing Business” e rendit Shqipërinë në vendin e dytë për mundësitë dhe shanset që i ofron biznesit.
Ne, shqiptarët, jemi krenarë edhe për një vlerë tjetër të çmuar që Shqipëria mbart historikisht në vetvete: harmoninë dhe bashkëjetesën fetare, vlerë që Shqipëria denjësisht ia përcjell Europës si mesazh të shkëlqyer të respektimit të besimit të njëri-tjetrit dhe besimit në vlerat e qytetërimeve tona.
Të nderuar Deputetë,
Është e rëndësishme të njihet se kombi shqiptar me një histori mjaft të dhimbshme të lënë pas, doli triumfator, me një shpirt të paprekur, me një shpirt europian dhe pavarësisht vështirësive që kemi kaluar shqiptarët janë rishfaqur, kanë rilindur duke ruajtur zemrën e tyre të madhe.
Këtë e dëshmoi ndër të tjera edhe kriza e Kosovës rreth një dekade më parë kur populli shqiptar nuk kurseu t’u hapte dyert rreth 500,000 kosovarëve, në ikje nga vendi i tyre për shkak të genocidit.
Por vlera jonë më e rëndësishme sot janë njerëzit tanë: jemi një komb i ri me mbi 60 për qind të popullsisë nën moshën 26 vjeç.
Megjithatë, nuk dëshiroj të keqkuptohem. Ne kemi ende shumë çështje për të trajtuar e probleme për të zgjidhur, si dhe shumë të tjera për të përmirësuar.
Le të kuptohemi, pothuajse të gjitha vendet perëndimore kanë rreth qindra vjet që përpiqen ta kuptojnë e ta trajtojnë drejt demokracinë.
Ndërsa, Shqipëria e mposhti diktaturën dhe vendosi pluralizmin jo më larg se 20 vjet më pare, dhe që prej asaj kohe ka ecur me hapa vigane.
Është fakt tashmë që bota ku jetojmë kërkon ritëm dinamik, kërkon ritëm të shpejtë veprimesh. Kështu edhe vizioni dhe vullneti jonë për t’u bërë pjesë e këtij zhvillimi, kërkon përpjekje të vazhdueshmë e të mëdha.
Reformat tona janë të pakthyeshme. Ndaj dhe Shqipëria do t’ia dalë mbanë për t’u renditur në krah të vendeve anëtare të BE-së. Zemra e madhe shqiptare nuk na ka lënë në baltë dhe nuk do të na lërë sot, më shumë se kurrë.
Dhe këtu fillimi bashkohet me fundin. Shqipëria është tashmë në prag të NATO-s dhe në paradhomën e BE-së.
Shpresa jonë është që, ashtu si për mijëra vjet me radhë, të jemi sërishmi pjesë e të njëjtit komonuellth perëndimor dhe si homo balcanicus, pjesë e po së njëjtës bashkësi europiane: ekonomike, politike dhe kulturore me korridore të përbashkët, pa dyer të mbyllura.
Do të dëshiroja të përfundoja duke shprehur bindjen time të thellë se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO përbën një moment historik, jo vetëm për kombin tonë, por edhe për të gjitha vendet e Ballkanit, ëndrra, vizioni dhe e ardhmja e të cilave janë Europa.
Dhe në këtë kontekst, do të dëshiroja të shprehja edhe një herë falënderimet e mia të sinqerta për të gjithë JU, për miqësinë dhe besimin ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të merituar anëtarësimin në NATO.
Gjithashtu, dëshiroj t’ju siguroj se Shqipëria është plotësisht e angazhuar për të përballuar të gjitha sfidat e së ardhmes dhe të përfundojë me sukses të plotë rrugëtimin e saj drejt Europës.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›