E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhafaj: Po mendojmë seriozisht shtyrjen e zgjedhjeve

05/06/2009  Socialistët tri kallëzime penale për persona të paidentifikuar

Socialistët përvijojnë qëndrimin e tyre, duke hedhur idenë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve parlamentare. Sipas gjykimit të selisë rozë, në rast se gjendja me kartat e identitetit dhe me listat e votuesve vazhdon të mbetet problematike, zgjedhjet e përgjithshme të 28 qershorit janë të rrezikuara. Në këtë mënyrë, ndalur konkretisht te mundësia e shtyrjes së kësaj date, sekretari për çështjet ligjore dhe koordinimin në PS Fatmir Xhafaj vuri në dukje se “jemi duke e menduar seriozisht këtë gjë, është bërë e njohur përmes konferencave të shtypit, deklarimeve publike, letërkëmbimeve të herëpashershme që kemi pasur me dikasterin përgjegjës në Ministrinë e Brendshme për këtë çështje”. Njëkohësisht sekretari socialist sqaroi më tej lidhur me këtë situatë. “Nga njëra anë ne kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë të dhëna të plota, jo të dhëna të deformuara e të falsifikuara si këto që na janë dhënë sot, sepse mbi bazën e atyre të dhënave ne do të kemi mundësi që të gjykojmë realisht mbi riskun dhe situatën konkrete lidhur me çështjen e kartave të identitetit. Nga ana tjetër, natyrisht, mbi bazën e këtij informacioni, ndjekjes së pandërprerë dhe një sistemi të plotë monitorimi që ne kemi në terren, në një kohë shumë të përshtatshme dhe të afërt ne do të marrim vendimet përkatëse politike. Natyrisht, nuk përjashtohet asnjë opsion”, - deklaroi Xhafaj. Po në këtë linjë, ai u shpreh qartë se “nuk do të lëmë asnjë qytetar që të mos i jepet mundësia, në respekt të Kushtetutës dhe të ligjit, për të ushtruar të drejtën e votës”. Këtë qëndrim Xhafaj e bëri me dije pas dorëzimit në prokurorinë e rrethit Tiranë të tri kallëzimeve penale. “Një kallëzim penal që ka të bëjë me manipulimin e kartës së identitetit nga një shtetas. Kallëzimi tjetër ka të bëjë me manipulimin e një funksionari lokal të Partisë Demokratike duke shitur kuponë në këmbim të votës dhe e treta ka të bëjë me një fakt shumë të njohur tashmë për ju dhe për publikun: me akuzën që ne kemi për falsifikim të të dhënave dhe dokumenteve zyrtare nga strukturat e Ministrisë së Brendshme”, - vlerësoi Xhafaj. Por të tria këto kallëzime nuk kanë emra konkretë mbi të cilët drejtohen akuzat e ngritura nga selia rozë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›