E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, Berisha e Rama mesazhe për Françoi Hollande

Telegram urimi dërgoi Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ku thekson se marrëdhëniet midis dy vendeve do të thellohen më tej. “Më lejoni gjithashtu, Shkëlqesi, të shpreh dhe vlerësimin tim të thellë për mbështetjen që Franca i ka dhënë dhe po vazhdon t’i japë Shqipërisë në përpjekjet e saj drejt integrimit sa më të shpejtë në familjen e madhe të Bashkimit Evropian.

Duke u nisur nga ky qëllim, Shqipëria është plotësisht e përkushtuar për të vazhduar në rrugën e zhvillimit dhe përparimit demokratik e social në të gjitha fushat. Po kështu ne vlerësojmë lart rolin konstruktiv të Francës në proceset e paqes, demokratizimit dhe integrimit euroatlantik të rajonit të Ballkanit Perëndimor!”, shkruan Topi. Gjithashtu, edhe kryeministri Sali Berisha dërgoi një telegram urimi.

“Me votën e tyre, qytetarët francezë Ju zgjodhën Ju dhe programin Tuaj për përballimin e krizës së sotme evropiane dhe botërore, bazuar në rritjen ekonomike dhe nxitjen e prosperitetit. Me këtë rast dëshiroj edhe një herë të shpreh mirënjohjen Francës dhe kombit francez për mbështetjen e madhe që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë e shqiptarëve në përpjekjet e tyre për ndërtimin e demokracisë, shtetit ligjor dhe integrimin në BE”, shkruan Berisha.

Lideri socialist, Edi Rama, theksoi se era fryu majtas në Francë me zgjedhjen në krye të Elizesë të presidentit të ri, Hollande.  ‘Era fryu majtas në Francë dhe Presidenti Hollande sa përfundoi fjalimin e tij të parë në rrugën e ndryshimit të premtuar. Mbrëmje e bukur! I bukur dhe fjalimi i fundit i Presidentit Sarkozy, ka një gjë më të madhe se ne të gjithë që është Franca, uroj megjithë zemër që t'ia dalë!”, shkruan Rama në Twitter. /Start/

                                                                                             2012-05-07 12:34
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›