E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Humbëm shansin e 2-të për BE, faji i politikës, penalizoi popullin

TIRANE-Presidenti Bamir Topi është deklaruar ashpër sot në fjalën e tij drejtuar politikës shqiptare rreth raport-progresit të BE për Shqipërinë duke u kërkuar që të marrin përgjegjësitë për humbjen e shansit për integrim. Gjithashtu në fjalën e tij ai iu drejtua dhe qytetarëve të Shqipërisë ku u shpreh se shqiptarët e meritojnë integrimin, sigurinë, hapësirën demokratike dhe mirëqenien dhe u penalizuan padrejtësisht për shkak të sjelljes politike.
“Kjo është përgjigjja e dytë negative për Shqipërinë; në dy rastet për të njëjtat problematika që lidhen kryesisht me përgjegjësinë e pambajtur të institucioneve politike në Tiranë”.

Dje, Komisioni Evropian bëri publik Raportin e Përparimit 2011 mbi Shqipërinë. Me cilësinë e Kryetarit të Shtetit dëshiroj të falenderoj Bashkimin Evropian për Raportin, duke e konsideruar atë një dokument realist, të paanshëm dhe profesional, që pasqyron ecurinë dhe problematikën e procesit të përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian! Në kontrast të thellë me nevojat dhe aspiratat e qytetarëve dhe shoqërisë shqiptare, Raporti arrin në përfundimin realist se Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret e përcaktuara nga Bashkimin Evropian për të rekomanduar hapjen e bisedimeve për anëtarësim. Kjo është përgjigjja e dytë negative për Shqipërinë; në dy rastet për të njëjtat problematika që lidhen kryesisht me përgjegjësinë e pambajtur të institucioneve politike në Tiranë.

“Në radhë të parë 12 rekomandimet e BE-së iu adresuan qeverisë dhe opozitës, dhe sot kur bilanci tërësor mbetet negativ, përgjegjësia direkte bie pikërisht mbi këto palë politike”.
Topi u kërkoi partive që në një raport kaq të qartë është e patolerueshme që palët të nisin të fajësojnë njëra-tjetrën, në vend që ta marrin dokumentin si plan pune për të përmbushur kriteret e integrimit.

“Dëgjova gjithashtu se palët politike nuk pranuan asnjë përgjegjësi konkrete, por zakonisht fajësuan palën kundërshtare për shansin e humbur të integrimit. Si President dhe qytetar e refuzoj këtë praktikë dhe këtë qëndrim. Kjo është ajo çfarë nuk i duhet Shqipërisë, demokracisë dhe integrimit. Kjo është ajo, për të cilën qytetarët shqiptarë ndihen padrejtësisht të penalizuar”.

Më tej Topi kërkoi që forcat politike të lenë alibitë dhe të përqëndrohen në një klimë të re bashkëpunimi që do munnd të conte deri në realizimin e prioriteteve të BE.
“Apeli im publik është se forcat kryesore politike, në vend të alibive dhe argumenteve partiake kundër palëve respektive, duhet të përqendrohen në një klimë të re dialogu e bashkëpunimi serioz, për të mbajtur realisht premtimin e dhënë dje për shndërrimin e Raportit të BE-së në axhendë të aktivitetit të tyre politik”.

Ndërsa drejtuar qytetarëve, Presidenti siguroi se shqiptarët meritojnë më shumë. “Qytetarë të nderuar!Ju dhe e ardhmja juaj meritojnë më shumë siguri, hapësirë demokratike dhe mirëqenie. Pas dy dekadash tranzicion Shqipëria meriton më shumë respekt, shërbim dhe dinjitet”.

(d.b/BalkanWeb) Lidhje te tjera  PROGRES-RAPORTI, FJALA E PLOTE E PRESIDENTIT PROGRES-RAPORTI I KE BERISHA: UNË OFROVA DIALOG, POR PS VURI 10 KUSHTE RAMA: ANALIZË E KTHJELLËT, DO E JETËSOJMË VIDEO: Topi: Humbi shansi i 2-të për BE, faji i politikës, penalizoi popullin

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›