E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Brenda dhe jashtë” një Konvente!

Si do që ta sjellësh dhe ta këndvështrosh çështjen e konceptimit dhe trajtimit të Pakicave Kombëtare dhe atyre etno-kulturore, ato duhet të gjykohen dhe të trajtohen vetëm në kuadrin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Dokumenti universal për këtë problematikë është “Konventa Kuadër për mbrojtjen e minoriteteve kombëtare” e KiE-së (Këshillit të Europës), që ka hyrë në fuqi më datën 1 shkurt 1998. “Palët në këtë Konventë marrin angazhimin të sigurojnë barazinë e plotë dhe efikase të personave, të cilët u takojnë grupeve minoritare, në të gjitha sferat e jetës ekonomike, sociale, politike dhe kulturore, si dhe kushtet që do t’u lejojnë atyre të shprehin, të ruajnë dhe të zhvillojnë kulturën dhe identitetin e tyre”. Nga ky përkufizim që gjendet në krye të Konventës, kuptohet se nuk ka kuptim të flitet për të drejta kolektive, as për pakicat as për shumicat autoktone. Respektohet çdo person, çdo individ në të drejtat e tij të njeriut në një shoqëri demokratike, duke mos u diskriminuar, përjashtuar, apo nënvleftësuar, thjesht se nuk është pjesë e shumicës, por është individi i një pakice kombëtare apo etno-kulturore. Republika e Shqipërisë e ka nënshkruar këtë Konventë dhe e ka ratifikuar në Parlament. Është ligji nr.8496, datë 03.06.1999, “Për ratifikimin e “Konventës kuadër të Këshillit të Europës për mbrojtjen e minoriteteve”. Dhe është shpallur me dekretin nr.2396, datë 18.06.1999, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zotit, Rexhep Mejdani. Vendi ynë ofron si realitet institucional e shoqëror, si sistem edukimi e pluralizmi kulturor, si treg ekonomik dhe ekumenizmi fetar, një ambient tejet civil demokratik! Askush nuk përçmohet apo poshtërohet, thjesht dhe vetëm sepse i takon një “Pakice Kombëtare” apo “Etnokulturore”! Shqiptarët si popull nuk janë racist, nuk janë ksenofob, e aspak shovenë! Madje nëse mund t’u bësh vërejtje, ajo mund të shkojë në një kahe tjetër, që shpesh ne jemi më tolerantë seç duhet. Ndodhë që kemi një sens përunjësije ndaj të huajve! Ka vende që janë edhe anëtare të Bashkimit Europian dhe NATO-s si: Franca dhe Greqia që nuk e kanë nënshkruar dhe ratifikuar këtë Konventë! Ja pra që, për të drejtat e njeriut në rastin e pakicave, u flitkërka dhe u veprokërka edhe “brenda” dhe “jashtë Konventës”! Ka shoqëri multinacionale, si dhe ka shoqëri me shumicë absolute autoktonët, si dhe me një përqindje të caktuar të pakicave kombëtare. Duhet pasur parasysh qysh në konceptim që të mos gabohet, se popullsitë migratore për shkaqe ekonomike, pra emigrantët; (pavarësisht nga numri i tyre), në asnjë rast nuk janë Pakica Kombëtare! Pakicat janë pjesë të një kombi, që për arsye nga më të ndryshmet, kanë mbetur si pellgje të popullsisë në territoret e një vendi tjetër, në zonën ndërkufitare dhe karakterizohen nga një gjuhë, religjion dhe kulturë e ndryshme nga ajo e vendasve! Ata jetojnë në atë që quhet “Zona e Minoritetit Kombëtar”! Kjo zonë ka disa karakteristika. Në këtë hapësirë antropologjike, minoritetet kombëtare si popullsi janë shumicë në raport me vendasit autoktonë. Ndaj nuk lejohet dhe konsiderohet shkelje e të drejtave të njeriut që t’i depërtosh ata me forcë apo me dredhi nga ajo zonë dhe të sjellësh situatën, që ata në aspektin demografik të shndërrohen nga shumicë në pakicë, si banorë të saj. Në rast se ata lëvizin me dëshirë nga kjo zone, duke e zbrazuar atë, kjo nuk ngarkon me përgjegjësi as institucionet shtetërore të specializuara, as ato të pushtetit lokal. Mund të ndodhi që individë apo në masë persona që iu takojnë pakicave, të largohen jashtë vendit duke u kthyer në atdheun e tyre të të parëve. Ose për interesa ekonomike, të vendosen në qendra të mëdha urbane apo në metropole! Një zbrazje e tillë që, rrugëton në trasenë e gjerë të lëvizjes së lirë të njerëzve, aq e shpeshtë në këto dy dekadat e fundit në Shqipëri, tregon se çdo kush është i lirë të zgjedhi dhe ndërtojë fatin dhe prosperitetin e tij atje ku e sheh më të udhës! Mobiliteti demografik është një fenomen sa lokal aq edhe rajonal, sa kontinental aq edhe global. Interesat, thekshëm ato ekonomike, prevalojnë në realitetet e sotme të shoqërisë globale, mbi ato të identiteteve kombëtare apo kulturore! Gjithashtu sipas Konventës, nuk lejohet që organet kompetente të cenojnë pronat e minoritarëve në “Zonën e Minoritetit”, qoftë edhe për efekte riorganizimi territorial apo për ndonjë motiv tjetër çfarëdo, që do të sillte si pasojë dëmtimin e kohezionit të tyre, largimin nga “Zona e Minoritet” dhe si rrjedhojë prishjen e raportit demografik duke e sjellë këtë pakicë nga “shumicë” në numër brenda zonës, në një pakicë të thjeshtë që rrezikon asimilimin! Që gjithçka të mirë- funksionojë dhe të jetë në përputhje me “Konventën Kuadër”, është e nevojshme që të identifikojmë qartësisht “Minoritetet Kombëtare” dhe “Zonën e Minoritetit”. Nëse ka edhe të tjerë individë që nuk janë nga shumica autoktone, por që janë banorë në brendësi të territorit, atëherë duhet të kuptohet se nuk ka “Zonë të Minoritetit” të lëvizshme! Mobiliteti i “Zonës së Minoritetit” është e denjë për një fantazi të “qilimit fluturues”! Kjo zonë nuk mund të krijohet artificialisht as edhe saje emigrantëve që duke u “Konvertuar në Kombësi” tjetër, po të rikthehen në vendin e tyre të të parëve, mundkërkan të krijojnë zonë minoriteti edhe në hapësirat jo-ndërkufitare. Aq më keq akoma kur individë që jetojnë në qytetet e mëdha shumë larg zonave të minoriteteve, përpiqen të ndryshojnë kombësinë fal martesave kryq apo aplikimeve për kombësi joshqiptare, vetëm e vetëm për të përfituar një pension që është sa i paligjshëm aq edhe i pamoralshëm! Është jolegal sepse pensioni në çdo rast është pagesë pleqërie përkundrejt derdhjes së një detyrimi si sigurim shoqëror, gjë që nuk është bërë nga ata “të konvertuar” që e përfitojnë. Madje ndodh që megjithëse në Shqipëri janë në marrëdhënie pune, në Greqi rezultojnë se kanë dalë në pension. Në aspektin etik kjo sjellje është turpëronjëse. Ka raste kur njëra motër që është e martuar me një minoritar apo me ndonjë të “konvertuar” përmes procedurave shndërrohet edhe ajo në një e “konvertuar”, pra ndërron kombësinë për pensionin e “madh” të turpit. Ndërsa vëllai apo motra e saj, i ati dhe e ëma; janë ende shqiptar! Ky realitet i përçudnuar nuk mund as të neglizhohet as edhe mund të regjistrohet symbyllur në “Censusin 2011.” Të mohosh të drejtat e një individi nga “Minoriteti Kombëtar” thjesht për shkak të përkatësisë është e palejueshme, antidemokratike, dhe antiligjore! Por të lejosh që “ditën për diell”, individë të paligjshëm apo të shtyrë nga interesa utilitare tregu, ta ndryshojnë në mënyrë artificiale strukturën kombëtare të popullsisë, edhe kjo është antidemokratike, është e paligjshme dhe e dënueshme. Si e para dhe e dyta provokojnë mosmarrëveshje dhe keqkuptime mes vendeve ndërkufitare që lidhen me këtë kompleksitet problemesh! “Mbrojtja efektive e minoriteteve dhe e të drejtave dhe lirive të personave që u përkasin këtyre minoriteteve në kuadrin e shtetit ligjor, vë në dukje “Konventa Kuadër”, duhet të përputhet me…”Respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit kombëtar të shteteve.” Popullsitë minoritare nuk duhet ta shohin veten si “geto të mbyllura” gjuhësore, fetare dhe kulturore. Një konservim i tillë është në dëmin e tyre, pasi i lë jashtë komunikimit, shkëmbimeve të nevojshme shumëplanëshe si dhe i shpie drejt dobësimit të atributeve civile e institucionale për cilindo qytetar, pavarësisht nga përkatësia kombëtare. Shteti ku jetohet prej disa brezave të ka pritur bujarisht, popullsia autoktone nuk të ka denigruar e përbuzur, ndërsa legjislacioni në këta 20 vite të sistemit demokratik të shtetit të së drejtës, të ka bërë në fshat me ligjin 7501 edhe pronarë toke; pa çka se kjo tokë si territor është e autoktonëve vendas shqiptarë. Nëse dëshiron të mbrosh një “Minoritet Kombëtar” që është pjesë e kombit tënd, por që jeton në vendin fqinjë, do të duhet që ta pranosh këtë Konventë, ta firmosësh dhe ratifikosh. Vetëm “Shtet-Palë” janë të zotuara dhe kanë detyrimin që ndaj “Minoriteteve Kombëtare” të mos lejojnë diskriminimin, të promovojnë barazinë efikase dhe kushtet që favorizojnë ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, fesë, gjuhës dhe traditave. Të garantojnë lirinë e tubimit, bashkimit, shprehjes, mendimit, ndërgjegjes dhe fesë. Të sigurojnë akses në përdorimin e mediave, në lirinë e përdorimit të gjuhës së minoritetit privatisht dhe publikisht si dhe përpara organeve administrative. Nëse në një fshat në Korçë apo në një tjetër në Vlorë, pretendohet se banorë atje janë grekë, atëherë do duhet që së paku gjeneralitetet e tyre t’i shkruajnë në gjuhën greke! E nëse nuk dinë të shkruajnë në këtë gjuhë, atëherë u mungon një nga tre elementet e identifikimit të tyre për përkatësinë kombëtare, krahas kulturës dhe besimit fetar. Nëse si shtet, je palë në këtë “Konventë Kuadër” të minoriteteve, jo i detyruar që të sigurosh që çdo individë nga minoriteti të përdori emrin në gjuhën minoritare, të përftojë informacion në këtë gjuhë qoftë ky edhe i natyrës private. Të lejohet të mësojë në gjuhën e minoritetit dhe të ketë krijimin e institucioneve arsimore. Emrat topografikë të jepen në dy gjuhë (V.o, jo t’iu ndërrohen), të garantohet sigurimi e kontakteve ndërkufitare. Edhe këtu duhet të ndalemi sepse nëse ngatërron një komunitet dygjuhësh, shqip dhe greqisht, që nuk është në një zonë ndërkufitare, dhe si popullsi nuk është shumicë demografike në zonën ku jeton, duke mos krijuar kështu atë që quhet “Zonë e Minoritetit”, do të thotë që të krijosh një realitet të “Minoritetit Kombëtar” që në fakt nuk është i tillë po ta përballim me kriteret e “Konventës Kuadër”! Konventa siguron të drejtën e pjesëmarrjes aktive në jetën publike dhe ndalimin e asimilimit të detyrueshëm! Shumë nga këto të drejta dhe atribute është e pamundur të realizohen nëse largohesh nga “Zona e Minoritetit”. Nuk mund të krijosh dot një dublim emrash toponimik edhe në një hapësirë jo-minoriteti, thjesht se disa prej tyre janë vendosur aty. Nuk mund të ndërtosh një shkollë për fëmijët e “Pakicës Kombëtare”, kur ata nuk jetojnë në “Zonën e Minoritetit”. Edhe në këtë hapësirë, “Konventa Kuadër” kërkon plotësimin e kushteve si numër nxënësish që lejon hapje klase mësimi konform praktikave të vendeve të Bashkimit Europianë. Nëse një vend nuk e njeh dhe ratifikon këtë konventë, është e pamundur që ai të respektojë minoritet brenda territorit të vet dhe për më keq akoma, të mbrojë pjesët e kombit të tij, që si pakica kombëtare jetojnë në vendet fqinje!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›