E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Ju pres të shtunënNga Tema UPDATE- Presidenca ka bërë me dije në një njoftim të saj se të shtunën do të thirret tryeza e partive politike. Në njoftimin e shkurtër thuhet se ky vendim ka ardhur pas takimeve me diplomatët e huaj në vend

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Topi: Ju pres të shtunënNga Tema
UPDATE- Presidenca ka bërë me dije në një njoftim të saj se të shtunën do të thirret tryeza e partive politike. Në njoftimin e shkurtër thuhet se ky vendim ka ardhur pas takimeve me diplomatët e huaj në vendin tonë dhe pas kontakteve me drejtuesit e dy partive kryesore.
“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, vendosi që të thërrasë tryezën politike, ditën e shtunë më 13 shkurt 2010, në orën 11.00, në Selinë e Presidentit, në vijim të takimeve të sotme me Kreun e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, me Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me Ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uithers II, si dhe pas kontakteve me Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama,” thuhet në njoftimin e presidencës.

***
Presidenti Bamir Topi do të presë në presidencë diplomatët kryesorë në vendin tonë, për të biseduar në lidhje me krizën politike dhe modalitetet e një tryeze të mundshme. Përpjekjet e Topit vijnë pas një rezolute të Këshillit të Europës, që kërkon zgjidhjen e krizës me ndërmjetësimin e presidentit. Por, ende nuk dihet se si do të veprojë Topi me dy krerët e partive kryesore politike, të cilët kanë shprehur qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta. Topi i ka nisur takimet me ndërkombëtarët, që sidoqoftë janë aktorë më me peshë se ai vetë, të cilit ende nuk i ka shprehur besimin e plotë partia që e ka zgjedhur në këtë detyrë. Më datë 22 shkurt pritet të vijë një delegacion i Këshillit të Europës, që do të takohet në një tryezë me drejtuesit politikë në vend.

***

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha dje se opozita nuk duhet të bëjë presione, por duhet të respektojë institucionet dhe ligjet e vendit.
“Nuk mendoj se presionet verbale janë ato të cilat çojnë procesin përpara, apo çfarë do lloj presionesh të tjera. Theksoj dhe një herë, është fatkeqësi kur një politikan del nga realiteti. Është punë për të, por përsëri është fatkeqësi për të kur shikon ëndrra me sy hapur. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka institucione të qëndrueshme të cilat nuk funksionojnë në mënyrë perfekte, por sidoqoftë funksionojnë në mënyrë demokratike dhe absolutisht që të gjithë duhet të respektojnë rregullat e lojës të përcaktuara nga kuadri Kushtetues i vendit dhe logjika demokratike,” tha Meta.
I pyetur për tryezën, se a duhet të përfshijë ajo dhe vetë drejtuesin e LSI, Meta tha: “Besoj se z. Berisha është tërësisht i qartë dhe i vullnetshëm për të ofruar ato garanci demokratike të cilat asnjë herë nuk kanë munguar nga ana e mazhorancës dhe nga e qeverisë për opozitën, por që akoma më tej janë përforcuar dhe nga një mesazh tepër i qartë dhe kompleks që vjen nga Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, për të cilën qeveria dhe mazhoranca janë shprehur plotësisht të dëshiruar dhe të vullnetshëm që ta zbatojnë dhe respektojnë siç i takon një mazhorance serioze, një mazhorance që punon për integrimin europian të vendit,” tha Meta.
Kryetari i LSI tha se opozita nuk do i ndalë proceset demokratizuese në vend. “Por ju mund ta shikoni sjelljen tjetër, për fat të keq, krejtësisht destruktive, arrogante, të një anshme dhe shantazhuese, ku ndërkohë që pritet të fillohet një tryezë dhe zhvillohet një dialog paralajmërojnë një front që do të na sjelli qametin, njësoj si në mitingun e famshëm në fund të nëntorit që do rrëzonte qeverinë dhe kutiçkat bashkë me të. Nuk është kjo sjellje evropiane, nuk është kjo një sjellje konstruktive. Por megjithatë edhe kjo pjesë e opozitës është opozita jonë e shqiptarëve dhe të gjithë kemi për detyrë ta ndihmojmë që rigjejë forca, kurajo dhe qytetari që të sillet në një mënyrë më konstruktive. Proceset do të ecin përpara, asgjë nuk i ndalon dot,” tha Meta.
Ndërkohë, pas zërave se përfaqësuesit e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në PS, mund të bashkohen me LSI, Meta tha këtë përgjigje: “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka qëllim të shtojë grupin e saj parlamentare me manovra, të cilat nuk janë aspak të preferuara nga ana e jonë. Aq më tepër as nuk janë të domosdoshme, për arsye sepse ne kemi një marrëveshje me Partinë Demokratike dhe jemi të bindur se kjo do të jetë një qeveri shumë e suksesshme, e cila do të përmbush të gjitha angazhimet e saj kryesore me përgjegjësi dhe seriozitet të plotë deri në 28 qershor të vitit 2013. Përsa i takon qëndrimeve dhe problemeve që janë brenda opozitës ato janë problemet e tyre dhe unë nuk dua të marrë përsipër të bëhem pjesë e debateve të tyre.”

***
Partia Socialiste bëri të ditur dje se hapja e kutive nuk bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese e as me ligjet e vendit. Në një deklaratë për mediat, deputeti Taulant Balla tha se Partia Demokratike e Sali Berisha nuk kanë të drejtë të flasin për vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
“Hapja e kutive të 28 qershorit është transparencë kushtetuese dhe ligjore, dhe për asnjë moment kjo domosdoshmëri nuk bie ndesh as me Kushtetutën, as me ligjet dhe as me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Shumëkush mund të ketë të drejtë të bëjë interpretime të Kushtetutës për këtë çështje, vetëm Sali Berisha jo.
Sali Berisha është i fundit njeri që merret me politikë në Shqipëri, që mund të flasë për Kushtetutën.
Sepse, ai nuk e njeh Kushtetutën, përndryshe nuk do ta kishte shkelur me dhjetëra herë në 4 vjet,” tha Balla. Sipas deputetit socialist, Kushtetuta nuk është pengesë për transparencën e zgjedhjeve.
“Si mundet Sali Berisha të na tregojë ne dhe shqiptarëve, Kushtetutën si pengesë për transparencën e zgjedhjeve?
Kur në fakt është pikërisht Kushtetuta, dokumenti themelor i shtetit, që garanton të drejtën e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Hetimi parlamentar lidhur me çdo çështje që ka të bëjë me demokracinë, me shtetin e së drejtës, me ekonominë, me të mirën publike në këtë vend, është një e drejtë kushtetuese e parlamentit.
Hapja e kutive të votimit është një e drejtë që buron drejtpërdrejt, jo vetëm nga fuqia kushtetuese e Parlamentit, por edhe nga fuqia e çdo qytetari në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që e gëzon të drejtën e patjetërsueshme për informim,” tha Balla.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›