E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Kemi prova për bizneset e ministrave

04/04/2005  PD paralajmëron debate të ashpra në seancën parlamentare

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Bamir Topi, tha dje se opozita disponon të gjitha provat se ministrat e kabinetit qeveritar janë të implikuar në konflikte interesi me detyrën që ushtrojnë për shkak të bizneseve që ata kanë. Këto komente, Topi i bëri vetëm një ditë përpara seancës me debat, që do të zhvillohet në parlamentin shqiptar me kryeministrin Nano, për konfliktin e interesave të një pjese të anëtarëve të qeverisë. Seancën e interpelancës me kryeministrin e ka kërkuar një grup deputetësh të opozitës, të cilët akuzojnë një pjesë të ministrave të qeverisë se po shkelin mbi Kushtetutën për shkak se bizneset e tyre, janë në konflikt interesi me pozicionin shtetëror që ata mbajnë.

Topi

Nënkryetari i PD-së, u shpreh se kërkesa e opozitës për të hedhur dritë mbi bizneset e ministrave që bien ndesh me detyrën që ata ushtrojnë, bëhet në një moment kur vihen re deformime të dukshme në ekonominë shqiptare, nga persona që drejtojnë institucione të rëndësishme të shtetit. "Të gjitha shkeljet janë të dokumentuara. Pavarësisht nga kamuflimet, që mund të bëhen në një moment të caktuar, të gjithë janë koshientë që kohë pas kohe, jo vetëm ka pasur konflikt interesah, por në mënyrë të dukshme ka pasur deformime në strukturat e ekonomisë kombëtare, nga persona që mbulojnë dikastere mjaft të rëndësishme", tha Topi. Sipas krerëve të opozitës, në konflikt interesi me detyrën që ushtron, është madje dhe vetë kryeministri Nano. Ndërkohë, konferenca e kryetarëve e mbledhur më datë 1 prill, ka vendosur që dhe vetë ligji për konfliktin e interesave të kalojë në parlament, dy javë pasi kryeministri të dalë për të sqaruar pozicionin e tij dhe të ministrave në Kuvend.

Argumentimi

Kërkesa e opozitës për seancë debati me kryeministrin Nano, e ka zanafillën e saj rreth tre javë më parë, gjatë mbledhjes se grupit parlamentar të PD, ku Sali Berisha akuzoi një pjesë të ministrave të kabinetit, se po shkelnin Kushtetutën. "Unë kërkoj të ndërmerret një debat urgjent në parlament mbi dhunimin flagrant të nenit 103 pika 2 e Kushtetutës, që sanksionon se ministrat nuk mund të ushtrojnë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues, anëtar i organeve apo shoqërive fitimprurëse", tha Berisha. Sipas tij, pjesa më e madhe e zyrtarëve të lartë të kabinetit qeveritar kanë bizneset e tyre dhe kjo ka sjellë uljen e zbatimit të ligjit, në nivelet më të ulëta të rajonit. Kreu demokrat, kërkoi gjithashtu që dosjet e ministrave të merren nga Inspektoriati i Kontrollit të Pasurive, me qëllim që t'i bëhet i ditur opinionit publik se kush janë shkelësit e ligjit. "Duhet të marrë fund kjo veprimtari antikushtetuese e turpshme, njerëz të cilët për t'u pasuruar nuk ngurrojnë të dhunojnë çdo parim dhe çdo ligj. Edhe sikur të mos ishte në Kushtetutë, ministrat nuk mund të merren me aktivitet", tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›