Kleriket luten te mos perseriten permbytjet
Ashtu si në shumë qytete të Shqipërisë dhe në Shkodër, besimtarët e krishterë i kanë pritur Krishtlindjet në atmosferë feste. Me këtë rast, arkipeshkiva e Shkodrës ka mbajtur një meshë në katedralen e qytetit, ku ishin të pranishëm me qindra besimtarë. Por ndryshe nga vitet e kaluara, lutjet e klerikëve dhe të qytetarëve, përveç të tjerave, ishin të përqendruar në lutjen ndaj Zotit, që përmbytjet masive të mos përsëriten më në Shkodër. Gjatë meshës së mbajtur, arkipeshkvi i Shkodrës, Anxhelo Masafra, një pjesë të mirë të lutjes ia ka kushtuar mbrojtjes së Shkodrës nga përmbytjet. Pas meshës së mbajtur, besimtarë të shumtë kanë mbushur rrugët e qytetit, duke krijuar një atmosferë feste në zhurmën e fishekzjarrëve, atmosferë që më shumë se kurrë Shkodrës i ka munguar pas asaj katastrofe natyrore, më e madhja në 150 vitet e ndodhura në Shqipëri. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme kanë bërë vizita në katedralen e Shkodër drejtues të pushtetit lokal, klerikë të besimeve të tjera dhe shumë qytetarë të besimeve të ndryshme.