E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Më vjen keq që nuk është Sejdiu

13/05/2009  Presidenti i Kosovës mungon në ceremoninë e betimit të presidentit të ri të Maqedonisë

Ivanov: Takime të tilla u shërbejnë aspiratave të përbashkëta të integrimit

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bamir Topi menjëherë pas ceremonisë së betimit të presidentit të ri të Maqedonisë Gjorgje Ivanov, ku mori pjesë, ka shprehur keqardhjen për mospraninë e presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu në të. Të ftuar në ceremoninë e inaugurimit të presidentit maqedonas ishin katër presidentë nga rajoni: ai i Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Në ceremoni nuk mori pjesë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili u ka dhënë fund pikëpyetjeve nëse ishte i ftuar ose jo në këtë ceremoni, duke përsëritur se nuk ka marrë asnjë ftesë nga Shkupi zyrtar për inaugurimin e presidentit maqedonas.

Reagimi i Topi

“Nuk mund të futem në ekskluzivitetin e të zotit të shtëpisë për çështjen e ftesave, por mua më vjen keq që zoti Fatmir Sejdiu nuk është këtu. Por më shumë impostova domosdoshmërinë që të gjithë liderët duhet të vlerësojnë se realiteti gjeografik në Ballkan ka ndryshuar dhe sidomos pas njohjes së pavarësisë Kosovës dhe në frymën që ekziston dhe frymëzohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë është më se e nevojshme që në tavolinat rajonale në takimet e ardhshme që do të zhvillohen, meqenëse është bërë traditë që presidentët e shteteve të Ballkanit të mblidhen në mënyrë frekuentuese, patjetër aty duhet të jetë presidenti Sejdiu”, - u shpreh Topi për këtë çështje. Pas ceremonisë ai zhvilloi një takim me presidentin e ri të Maqedonisë Gjorgje Ivanov, në rezidencën e presidentit të Republikës së Maqedonisë, në Shkup.

Takimi

Kreu i shtetit shqiptar e uroi homologun e tij maqedonas për vazhdimësinë e takimeve e bashkëpunimit të ngushtë edhe në të ardhmen. Duke u ndalur në nivelin e lartë të dialogut politik midis dy vendeve tona, Presidenti Topi shprehu gatishmërinë për thellimin e tij si në funksion të marrëdhënieve dypalëshe, shumëpalëshe e rajonale, nëpërmjet vazhdimësisë së praktikës së takimeve dhe vizitave të niveleve të larta. Organizimi i mirë i zgjedhjeve në Maqedoni u vlerësua prej tij si hap i rëndësishëm për stabilitetin e Maqedonisë, por edhe një garanci më shumë për jetësimin e Marrëveshjes së Ohrit si dhe për perspektivën e saj evropiane e euroatlantike. Ai vlerësoi të gjithë zgjedhësit maqedonas, edhe ata shqiptarë për mënyrën dinjitoze në zhvillimin e procesit zgjedhor, si dhe kontributin e faktorëve politikë shqiptarë, të cilët me fushatën e tyre të qytetëruar i paraprinë normalitetit të zhvillimit të procesit të votimit, shenjë kjo e maturisë politike dhe e kapacitetit të tyre demokratik. Nё kuadёr tё angazhimit të pёrbashkёt pёr anёtarёsimin nё BE, Topi shprehu vlerësime për bashkëpunimin shumë të mirë me palën maqedonase. Sipas tij, shumë shpejt edhe Maqedonia do të mund t’u bashkohet vendeve të tjera të Kartës së Adriatikut, Shqipërisë dhe Kroacisë, për të vazhduar së bashku rrugën si anëtarë me të drejta të plota të Aleancës. Ndërsa presidenti i Maqedonisë garantoi se vendi i tij do të ofrojë përvojën e tij si vend kandidat për në BE për lëvizjen e lirë të njerëzve, që do të mundësojë rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe të shkëmbimeve tregtare. Dy presidentët folën gjithashtu edhe për Kosovën, realitetin e ri gjeopolitik në rajonin ballkanik, si dhe nevojën e pranisë së saj në tryeza dhe nisma rajonale dhe projekte të përbashkëta ekonomike.

Reagimi i Sejdiut

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka kundërshtuar në mënyrë kategorike faktin e marrjes së ftesës zyrtare për pjesëmarrjen e tij në betimin e presidentit të ri të Maqedonisë Gjorge Ivanov. Ai gjithashtu nuk ka komentuar arsyet e ftesës të munguar. “Burim shumë i sigurt është se presidenti Sejdiu nuk ka ftesë të qeverisë maqedonase. Kjo është çështje e vendimit të tyre, si ata e procedojnë këtë dhe pavarësisht prej këtij fakti ne do të përcjellim në vazhdimësi sinjale të mira të bashkëpunimit”, - tha Sejdiu. Presidenti i Kosovës ka mohuar faktin se do të vizitojë Maqedoninë në fund të këtij muaji.

Mesazhi i Ivanovit

Presidenti i ri maqedonas Gjorgje Ivanov shprehu urimet për Presidentin Topi me rastin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO, duke nënvizuar gëzimin që “një vend fqinj si Shqipëria u bë anëtar i Aleancës së Atlantikut dhe do të jetë edhe avokati ynë dashamirës për në NATO”. Pasi i uroi edhe një herë Presidentit Topi mirëseardhjen, ai e falënderoi kryetarin e shtetit për urimet e ngrohta. “Takime të këtij niveli japin një mesazh dhe imazh të ri mbështetur mbi parime të përbashkëta, mbi aspiratën tonë për t’u integruar në Bashkimin Evropian”, - u shpreh presidenti maqedonas Ivanov.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›