E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Mini-Shengeni ballkanik, si Europa pa kufij

Presidenti rrëfen planin e diskutuar në samitin e Prizrenit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka treguar dje planin se si do të vihet në jetë “Ballkani pa kufij” apo “Mini-Shengeni” që u elaborua në takimin e Prizrenit. Në një intervistë për “Top Channel”, kreu i shtetit shqiptar tha se i njëjti format që realizohet sot në Europën e Bashkuar, i njëjti pritet të realizohet edhe mes vendeve të Ballkanit. “Shprehja e vullnetit të katër presidentëve sot, që është shprehur dhe nga institucionet respektive të të gjitha vendeve për të pasur mundësinë e komunikimit të lirë, duke përfituar nga të gjitha beneficet që ka statusi i vendeve të Shengenit europian, do të bënte të mundur që njerëzit të komunikojnë të lirë, mallrat të komunikojnë të lira dhe vendet tona, duke përjashtuar lëvizjen, të ishin më efikase në kontrollin e kontrabandës në nivel ballkanik”, thotë kreu i shtetit. Sipas Topit, do të tingëllonte paradoksale në rast se Kosova do të përjashtohej momentalisht për të pasur më vonë mundësinë e fitimit të statusit të lëvizjes së lirë. Lidhur me raportet e Shqipërisë dhe Kosovës me Serbinë, Presidenti Topi ka veçuar se “kemi bërë një apel të gjithë së bashku sot, edhe për Serbinë. Ndonëse ekzistojnë disa paragjykime të shprehura, apo të pashprehura përmes pjesëmarrjes, apo tentativave për të prishur ftesat që vijnë në drejtim të Kosovës, unë besoj që Ballkani sot operon mbi bazën e një lidershipi, i cili tenton të shkojë drejt standardeve perëndimore dhe mospërfshirja, mungesa e ftesës, nuk do i shërbente kësaj klime kaq të mirë që ekziston midis vendeve tona në rajon”. Kreu i shtetit theksoi gjithashtu se Shqipëria është e hapur për komunikim edhe me Serbinë për rregullimin e marrëdhënieve bilaterale. “Edhe Kosova duhet të bashkëbisedojë me Serbinë dhe po ashtu e kemi thënë edhe në takime dhe në konferencë për shtyp, duke filluar me një stad të respektimit të sovranitetit të secilit vend, si vend të lirë, të pavarur dhe pastaj çështjet që mund të diskutohen në tavolinë, mund të jenë çështje të karakterit politik, çështje të shkëmbimeve ekonomike, për marrëdhëniet doganore, çështjet fiskale, pra, sikurse ekzistojnë marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje”, tha Topi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›