E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Nuk ndërhyj më për krizën, protestat e drejtë demokratike

BERLIN- "Mbështetja e Gjermanisë për Shqipërinë do të vazhdojë në mënyrë që populli shqiptar të bëhet pjesë edhe zyrtarisht sa më shpejt e familjes së madhe evropiane", i deklaroi sot Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Horst Këler Presidentit të Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit të tyre në Berlin.
Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Presidenti Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi dhe delegacioni që e shoqëron, në kuadër të vizitës zyrtare në Gjermani, u pritën sot paradite nga Presidenti Këler dhe Zonja e Parë, në mjediset e Ndërtesës Presidenciale, në Kështjellën "Shlos Belvju".
Pas kalimit në revistë të trupave ushtarake dhe ekzekutimit të himneve kombëtare, Presidenti Topi dhe Presidenti Këler vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dhe tradicionalisht shumë të mira mes dy vendeve tona, si dhe bashkëpunimin shumëpalësh në të gjitha fushat.
Gjatë takimit, Presidenti Topi theksoi faktin se Shqipëria e konsideron Gjermaninë një partner strategjik shumë të rëndësishëm të saj. Kreu i shtetit shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të dhënë nga Gjermania në proceset demokratizuese dhe integruese të vendit tonë, duke i dhënë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjes së pranisë së investitorëve gjermanë në Shqipëri, ku në këtë aspekt pritet që gjatë kësaj vizite, të firmoset marrëveshja për eliminimin e tatimeve të dyfishta.
Kreu i shtetit shqiptar ka folur edhe për situatën politike dhe për rolin e tij në funksion të zgjidhjes së krizës. Presidenti Topi tha se tryeza e dialogut pati një rezultat konkret. “Opozita tashmë realisht ka trokitur në parlament , është bërë pjesë e parlamentit dhe pse jo me kapacitet të plotë”. Presidenti gjykon se situata aktuale në vend është përmirësuar ndonëse ka ende vend të rritje të koshiencës së të gjitha partive politike që përbëjnë parlamentin. Kreu i shtetit e shikon të tepërt ndërhyrjen e tij për ti ulur sërish palët në tryezë bisedimi, ndërsa shton se si PD dhe PS janë duke debatuar në parlament. “Besoj se është e rëndësishme dhe partitë politike do të dinë të kuptojnë rëndësinë e forcimit të imazhit” tha Topi. .
Në vizitën e tij në Gjermani, Presidenti Topi shoqërohet nga zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›