Champions, Inter-Barcelona, çifti i parë gjysmëfinalist
MILANO- Inter-Barcelona do të jetë gjysmëfinalja e parë e Champions League, e vendosur pas ndeshjeve të kthimit çerekfinale. Italianët mposhtën 1-0 në Moskë CSKA-në, ndërsa spanjollët triumfuan 4-1 ndaj Arsenalit. Një Inter i madh ka arritur të triumfojë në Moskë kundër CSKA-së, skuadrës së ushtrisë ruse. Ka mjaftuar një gol i Uesli Shnajder me goditje dënimi në minutën e 6-të që ekipi i Murinjos ta shohë veten në gjysmëfinale, aty ku do të përballet me Barcelonën e Pep Guardiolës. Mendohej si e vështirë transferta e së martës, por në fakt gjithçka ka rezultuar një shëtitje. Shnajder, ai që mendohej se nuk do të luante, ka ekzekutuar saktë një goditje dënimi, duke mposhtur Akinfev, i gënjyer edhe nga muri. Më pas, ka qenë një simfoni e tëra zikaltër. Interi ka dominuar dhe vetëm falë neglizhencës nuk ka shënuar një gol të dytë. Në krahun tjetër, CSKA ngulmoi deri 5 minuta nga nisja e pjesës së dytë, kur Odiah, u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të rëndë ndaj Samuel Eto. Nga ky moment, në fushë ka qenë vetëm Interi, që ka administruar qetësisht rezultatin, duke arritur fitoren e pestë radhazi në Champions.
Në takimin tjetër të mbrëmjes, Barcelona dhuroi spektakël përballë Arsenalit të Arsen Venger, duke fituar thellësisht 4-1. “Topçinjtë” shënuan të parët me anë të Niklas Bendtner në minutën e 19-të, por më pas nisi “Mesi show”. Argjentinasi realizoi tre gola në pjesën e parë dhe një në fund të ndeshjes, duke u konfirmuar si futbollisti më i mirë i planetit për momentin. Ai realizoi në minutën e 21-të me një goditje në trekëndësh në hyrje të zonës, ndërsa dyfishoi pas një pasimi të Pedros në zonë, duke shmangur edhe Silvestre. Goli i tretë ishte një parabël mjaft e bukur, ndërsa i katërti, 2 minuta para fundit, u shënua pas dy tentativave.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)