E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Politika të mos pengojë vizat

Intervista Presidenti konstaton se qytetarët kanë të drejtë të përfitojnë procesin e liberalizimit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar dje në një intervistë të dhënë për “Top Channel” që politika nuk duhet të jetë pengesë për liberalizimin e vizave. Duke folur për procesin, i cili pritet të ketë një vendim pas disa muajsh, kreu i shtetit shqiptar deklaroi që “unë vazhdimisht inkurajoj përmirësimin e klimës politike në Shqipëri, por mendoj që gjërat nuk duhet të jenë të varura nga vullnetet dhe klimat politike, sepse çështja e liberalizimit të vizave ka të bëjë me disa standarde që mendoj se Shqipëria i ka realizuar dhe po i realizon. Pra njerëzit nuk duhet të mbesin peng i humoreve të politikës. E kaluara e kombit shqiptar, ajo e kaluara e izolimit të thellë, por edhe përpjekjet që kemi bërë për stabilitetin në Ballkan, bën që populli shqiptar ta meritojë lëvizjen e lirë. Kjo është një e drejtë që shqiptarët e kanë pasur në shekuj, përveç asaj periudhe të izolimit të thellë dhe besoj që do ta përfitojë së shpejti këtë të drejtë”. Ndërkaq, duke folur për lirinë e lëvizjes në rajon, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka inkurajuar një liberalizim për të gjitha vendet dhe në këtë rast ka folur edhe për vendimin e fundit të qeverisë për liberalizimin e njëanshëm të vizave vetëm për qytetarët e Serbisë që duan të udhëtojnë në Shqipëri. Kreu i shtetit shqiptar deklaroi se ne duhet të promovojnë liberalizimin, por ka shtuar se duhet ekuilibër dhe ekuivalencë që të gjithë të përgjigjen ndaj tjetrit me të njëjtën monedhë. Kjo duhet të realizohet edhe nga të tjerët.

Vizita

Në intervistën për “Top Channel”, kreu i shtetit shqiptar ka folur edhe për mesazhet që ka dhënë gjatë vizitës treditore që zhvilloi në Maqedoni. Në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit, Topi deklaroi se “dimensioni i kësaj vizite është më i madh se deklarata, është një vazhdim i përpjekjeve për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje”. Topi theksoi më tej se askush nuk mund të thotë se Marrëveshja e Ohrit është realizuar në të gjitha pikat e saj. Ndërkaq, në lidhje me mungesën e 5 deputetëve të Partisë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit në seancën e Parlamentit ku ka folur kreu i shtetit shqiptar, Topi e ka minimizuar pasojën negative, duke theksuar se ai është takuar personalisht me Thaçin dhe mungesa përbën një qëndrim politik të PDSH-së ndaj Parlamentit. Presidenti i Republikës deklaroi se faktori shqiptar në rajon ka qenë mjaft i rëndësishëm për stabilitetin e Ballkanit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›