E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i KQZ, Ristani: Votimi elektronik është i mundshëm

Intervista “Në rast se do të vendoset të përdoret votimi elektronik detajet do të debatohen”

Votimi elektronik ka marrë tanimë miratimin politik. Ajo që është me më shumë rëndësi lidhet me mundësitë reale të aplikimit të tij që nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, vlerësohet si një opsion i realizueshëm.

Z. Ristani, së fundmi nga Kryeministri është hedhur ideja e votimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme. Sipas mendimit tuaj a është e mundshme të realizohet kjo gjë në Shqipëri?

Kam ndjekur me shumë interes angazhimet e qeverisë sonë sidomos në përdorimin e teknologjisë së lartë në shumë fusha të jetës së shoqërisë shqiptare. E theksoj në shumë fusha, pasi përdorimi i kësaj teknologjie nuk mund të ndodhë vetëm në një fushë të caktuar siç janë zgjedhjet. Duket se qeveria po zbaton një plan të gjerë me reforma të shumta në përdorimin e teknologjisë së lartë, përveç të tjerave edhe në aspekte që kanë të bëjnë direkt dhe indirekt me zgjedhjet. Kështu është për t’u përmendur, dixhitalizimi i regjistrit të gjendjes civile, pajisja me karta identiteti, bashkëpunimi i ngushtë me sektorin privat për shtrirjen e infrastrukturave të komunikimit modern në çdo cep të vendit, programe të tilla si “Shqipëria në moshën e internetit” etj. Mbi këtë bazë mendoj se edhe kjo ide e Kryeministrit është koherente. Për mendimin tim është shumë e mundshme që votimi elektronik të realizohet. Ajo që është për të diskutuar është se në ç’masë dhe cili lloj i votimit elektronik do të mund të përdoret.

Lidhur me këtë ide ka një mendim se ai mund të komprometojë fshehtësinë e votimit meqë bën lidhjen e shenjave të votuesit me identitetin e tij. është i mundshëm që ky sistem të komprometohet dhe nëse po si mund të shmanget kjo gjë?

Sistemi elektronik i votimit është përdorur në disa vende të botës dhe janë kolauduar mekanizma të tilla që sigurojnë fshehtësinë e votës. Megjithatë, në rast se do të vendoset të përdoret votimi elektronik detajet do të debatohen sigurisht në mënyrë transparente, pasi një standard i tillë, tashmë është vendosur.

Sipas mendimit tuaj dixhitalizimi i procesit mund të sjellë nevojën e rishikimit të rolit të KQZ si administrator i zgjedhjeve? A mundet KQZ e vetme të mbikëqyrë procesin e votimit elektronik apo lind nevoja e ndërhyrjeve ligjore shtesë?

Reforma të tilla si kjo që po diskutohet, pashmangshmërisht shoqërohen me ndryshime ligjore në substancë, në procedurë dhe mënyrën e administrimit. KQZ ka të gjitha mundësitë, tashmë edhe përvojën, për të administruar procese të tilla, por sigurisht që në varësi të sistemit që do të mund të vendoset të përdoret, mund të ketë edhe përshtatje në konceptimin dhe kompetencat e organit administrativ që administron procesin.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›