Nëse SHBA do të ishte në BE, do të kishit hyrë
“Nëse SHBA do të ishte pjesë e BE, Shqipëria do të ishte integruar më shpejt”. Kjo ishte e vetmja deklaratë me sfond politik e bërë nga ambasadori amerikan, John Withers, të enjten në Përmet. SHBA është e interesuar që Shqipëria të integrohet sa më shpejt në këtë strukturë është shprehur Withers mesditën e së enjtes gjatë një vizite në qytetin e Përmetit. Sipas përfaqësuesit më të lartë të qeverisë amerikane në vendin tonë, i cili mbajti një fjalim përpara këshilltarëve të Bashkisë së Përmetit, SHBA e shikon me interes hyrjen e Shqipërisë në strukturat e BE-së. Ai tha se qytetin e Përmetit e ka njohur nëpërmjet Odise Paskalit, Mentor Xhemalit dhe Laver Bariut. “Përmeti shquhet për mikpritjen, trëndafilat dhe verën. Kjo është e vërtetë”, shtoi ai, duke vlerësuar më pas natyrën shqiptare me potenciale zhvilluese për turizmin kulturor dhe natyror. Në Shqipëri numri i turistëve do të rritet, pasi vendi juaj ka potenciale natyrore dhe kulturore, është shprehur Withers. Ky i fundit ka ndjekur nga afër një ndeshje miqësore basketbolli për femra midis ekipit të të rejave të Përmetit dhe Lushnjës. Pavarësisht fitores së ekipit vendas, me rezultatin 68-42, për 20 minuta takimi u ndërpre për shkak të mungesës së energjisë elektrike, duke shkaktuar ilaritet në sallë dhe çuditërisht qetësi në sytë e ambasadorit Withers.
#