Ushqimet e paketuara nën peshë, qytetarët ankohen për vjedhje
Tregtimi i produkteve të ndryshme, sidomos të atyre të paketuara ka sjellë jo pak probleme për qytetarët vlonjatë. Këta të fundit ankohen se nuk marrin në shitoret e qytetit peshën për të cilën paguajnë. Ankesat e tyre fillojnë që nga pesha e bukës, produktit që nuk mungon në çdo tavolinë vlonjate, por shtrihet edhe pothuajse në të gjitha produktet e paketuara. Sipas tyre, ata bukën nuk e blejnë me peshë dhe kur shkojnë në dyqan nuk thonë më jepni një kg bukë, siç do të ishte shumë normale, por më jepni një bukë.
E dnërsa kjo e fundit nuk është asnjëherë në peshën 1 kg. Ankesa e qytetarëve justifikohet prej bukëpjekësve se pesha e saj është dyfishe, e brumit kur hidhet në tepsitë e pjekjes dhe në peshën kur del nga pjekja. Sipas bukëpjekësve, ata janë korrektë në hedhjen në tepsi të 1 kg brumi, por mbas pjekjes buka e dalë nuk është 1 kg. Por ndërsa mund të justifikohet në këtë mënyrë pesha e bukës, nuk mund të ketë një justifikim të tillë për produktet e tjera, duke përfshirë orizin, sheqerin dhe të tjerat që vijnë me peshë. Janë vetë qytetarët që shkojnë të marrin 1 kg nga këto produkte dhe kur e marrin të paketuar e shkojnë ta peshojnë në shtëpi, pesha nuk është 1 000 gramë, por shumë më pak. Ata ankohen se lekët i paguajnë për 1 kg dhe në fakt nuk marrin aq. Abuzimet në këtë rast dëmtojnë blerësit dhe një pjesë e tyre janë ankuar edhe në drejtorinë e tatim- taksave që ka për detyrë ta bëjë një kontroll të tillë dhe ti ndalë abuzuesit. Sipas banorëve, kjo degë ankohet se nuk ka të drejtë të diktojë çmimin e këtyre produkteve dhe në këtë justifikim, buka në qytetin bregdetar vazhdon të shitet 100 lekë të rinj, por kjo degë ka plotësisht të drejtë, por edhe detyrë që të bëjë kontrollin dhe sigurimin që të paktën pesha e produkteve të jetë e saktë. Edhe justifikimi i tregtarëve se produktet e shitura prej tyre vijnë të paketuara nga firmat e ndryshme, ka një zgjidhje, dënimi i këtyre firmave që paketojnë produktet, ku mbi këtë paketim kanë lënë edhe adresën e tyre. Ndonëse nuk është vështirë evidentimi i këtyre firmave, mangësia vjen prej policisë tatimore, që ndërkohë duhet ta ketë edhe këtë problem parasysh, merret vetëm me ata shitës që nuk kanë paguar detyrimet tatimore dhe taksat pranë kësaj dege.
Email This Klikime: 9
Email This Klikime: 9