E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Shqiptarët po ndëshkohen nga politika

Gjatë një takimi në Fier, kreu i shtetit  reagoi edhe ndaj akuzave të ngritura ndaj tij nga kryeministri Berisha një ditë më parë në Parlament. “Sigurisht apeli im lidhesh me momentin e mendimit të Komisionit Evropian për çështjen e pranimit ose të mospranimit të statusit të vendit kandidat. Fatkeqësisht ky status dhe kësaj radhe u refuzua. Fokusi kritik i KE dhe fokusi kritik në pozicionin tim si President u rikonfirmua dje dhe njëherë në ngjarjet në Parlament. Sot shoqëria shqiptare po penalizohet në radhë të parë nga politika. Të gjithë partnerët janë të preokupuar pse politika shqiptare vazhdon të jetë konfliktuale. Konfliktuale në komunikim, në batuta dhe të mos jetë bashkëpunuese. Dhe ju keni parë që fokusi është tek 12 kriteret që lidhen në mënyrë me ekskluzive me Parlamentin shqiptar”, tha Topi.

Presidenti i vendit kërkoi që politika të merret vesh dhe të lërë mënjanë sharjet dhe akuzat.  “U kërkohet të komunikojnë në mënyrë civile dhe nuk mund të jetë absolutisht e denjë për Parlamentin që të angazhohet me sharje reciproke dhe batuta dhe jo në atë që kërkohet. Politika duhet të merret vesh, ky është bërë një apel i bezdisshëm, monoton, stereotipik, duke thënë cdo ditë të njëjtën gjë. Unë natyrisht nuk mund të bëj këtu skanerin e politikës shqiptare se këtë ndërkaq e ka bërë vetë Komisioni Evropian”.

Presidenti Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit bëri sot një vizitë pune në qytetin e Fierit, ku u takua dhe zhvilloi bisedime me drejtues të lartë të pushtetit vendor. Topi u informua më konkretisht mbi disa projekte dhe ide veprimi të orientuara drejt mirëqenies së qytetarëve dhe mbarëvajtjes së punëve në këtë qytet.

Presidenti u njoh nga drejtuesit e tjerë lokalë me çështje të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, turistik, arsimor, shëndetësor e kulturor të qytetit, duke u ndalur veçanërisht në problematikat e ndryshme me të cilat përballen qytetarët si dhe autoritetet vendore.

Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti Topi vlerësoi përkushtimin dhe përpjekjet e vazhdueshme për përmirësimin e nivelit të jetesës së qytetarëve fierakë, duke vënë në dukje ato resurse thelbësore që favorizojnë të gjithë qytetin e Fierit për zhvillim e mëtejshëm e të gjithanshëm të tij. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-14 13:37
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›