Topi: Shtyrja e vizitës së Barrosos, një zhvillim jo i këndshëm
Drejtoria e Informimit Publik të Institucionit të Presidentit, e pyetur nga përfaqësuesit e mediave lidhur me vendimin e Presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo për të shtyrë vizitën e tij të paralajmëruar në vendin tonë në në një moment tjetër, bën me dije se:
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi deklaron se shtyrja e vizitës së Presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barrozo, është një zhvillim jo i këndshëm dhe një shans i vonuar për Shqipërinë.
Zoti Barrozo ka qenë dhe është një mbështetës i Shqipërisë në rrugën e saj të reformave dhe integrimit dhe vizita e tij pritej të konfirmonte një fazë të re afrimi të vendit tonë me Bashkimin Evropian.
Zhvillimet e fundit politike dhe post-zgjedhore në Tiranë, dhanë sinjalin e gabuar dhe duket se u bënë pengesë për realizimin e kësaj vizite të mirëpritur e me vlera historike për popullin shqiptar. Përgjegjësia kryesore për vonesën e kësaj mundësie bie direkt mbi partitë kryesore politike, udhëheqjen, militantët dhe sjelljen e tyre.
Në këto çaste të vështira politike, thirrja dhe apeli i Kryetarit të Shtetit, dhe i shumicës së qytetarëve të këtij vendi, është rikthimi i normalitetit demokratik, mbizotërimi i interesave publike mbi ato partiake, maturia dhe përgjegjësia për të dëshmuar aftësi udhëheqëse në gjetjen e rrugëve ligjore e demokratike të zgjidhjes së problemeve të krijuara!