E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Të nisim menjëherë zbatimin e kushteve që ka vënë NATO

Pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka bërë thirrje që qeveria dhe partitë politike të nisin punën menjëherë për realizmin e reformave të domosdoshme në vend. Kreu i shtetit ka konkretizuar përfundimin e reformës zgjedhore, por dhe ka kërkuar luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, Presidenti Topi ka kërkuar arritjen e plotë të të gjitha kritereve dhe standardeve të kërkuara, si dhe me vazhdimin e luajtjes së rolit moderator në interes të paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë në rajon e më gjerë. Këto deklarata kreu i shtetit i ka bërë gjatë takimit të zhvilluar dje në ambientet e Presidencës me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Xhon L. Uidhers, pas samitit të NATO-s të zhvilluar në Bukuresht. Gjatë takimit, ambasadori i SHBA i ka shprehur kreut të shtetit shqiptar urimet më të mira për ftesën e anëtarësimit në NATO që iu bë Shqipërisë në këtë samiti. Ndërsa Presidenti Topi ka falënderuar ambasadorin Uidhers dhe nëpërmjet tij shtetin amerikan për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme dhënë vendit tonë. Presidenti i Republikës ka vënë në pah rëndësinë e jashtëzakonshme të ndihmesës së aleatit tonë dhe mikut më të madh, Presidentit Bush, së bashku me qeverinë amerikane në përmbushjen e aspiratave integruese të Shqipërisë. Gjatë këtij takimi, Presidenti Topi ka theksuar se procesi integrues i Shqipërisë në strukturat euro-atlantike, edhe pas marrjes së ftesës në Bukuresht, do të intensifikohet edhe më tej me kryerjen e reformave të rëndësishme në vend. Ambasadori Uidhers, pasi i ka shprehur kreut të shtetit urimet më të përzemërta për ftesën e marrë nga Shqipëria në Samitin e Bukureshtit për t‘u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut Verior, theksoi se "falënderimi dhe mirënjohja e vërtetë u takon dhe është për vetë shqiptarët, të cilët nëpërmjet punës së jashtëzakonshme dhe të suksesshme po i kthejnë aspiratat e tyre integruese në realitet". Para pak ditësh vendi ynë mori ftesën për anëtarësimin në NATO, ftesë e cila iu bë zyrtare delegacionit të lartë shqiptar, që përfaqësohej me Presidentin Topi, Kryeministrin Berisha, ministrin e Mbrojtjes Oketa, ministrin e Jashtëm Basha dhe dy kryetarët e grupeve parlamentare të PD-së, Astrit Patozi dhe të PS-së, Valentina Leskaj. Gjatë fjalës së tyre në këtë samit, Presidenti Topi dhe Kryeministri Berisha kanë falënderuar shtetet anëtare për besimin e dhënë dhe kanë shprehur bindjen e tyre se shumë shpejt Shqipëria do të realizojë reformat e kërkuara me qëllim që në samitin e ardhshëm të bëhet anëtare me të drejta të plota. Ftesën për t‘u bërë anëtare e NATO-s, bashkë me ne e ka marrë edhe Kroacia, ndërsa Maqedonia megjithëse ishte pjesë e "Adriatik 3" nuk arriti ta marrë ftesën për shkak se Greqia vendosi veton kundër Maqedonisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›