E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Uidhers: Ke bërë diplomaci të drejtpërdrejtë

Ambasadori i SHBA-së nis takimet e lamtumirës me krerët e institucioneve

Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, mbyll axhendën diplomatike në Shqipëri me takimet e fundit me krerët e institucioneve shqiptare. Ceremonia e largimit të ambasadorit Uidhers nga Tirana do të jetë në mesin e muajit gusht, ndërkohë takimin e parë të lamtumirës kryediplomati amerikan në Shqipëri e zhvilloi me Presidentin Bamir Topi. Në ditët në vazhdim, ambasadori Uidhers pritet të zhvillojë takime edhe me Kryeministrin Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Kreu i shtetit shqiptar e vlerësoi punën e ambasadorit Uidhers, veçanërisht për mënyrën e drejtpërdrejtë të të bërit demokraci, si edhe për kontributin që ka dhënë për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA. Takimi është zhvilluar në Presidencë dhe ka zgjatur rreth 30 minuta. “Ambasadori Uidhers do të mbetet i pazëvendësueshëm në kujtesën e popullit dhe institucioneve shqiptare për dashurinë, përkujdesjen dhe mënyrën e drejtpërdrejtë të të bërit diplomaci me një mendësi moderne, të shoqëruar edhe me kontributin e madh në përforcimin e urave të komunikimit dhe miqësisë tradicionale që lidh dy popujt dhe vendet tona”, theksoi Presidenti Topi. Nga ana e tij, ambasadori amerikan Uidhers falënderoi kreun e shtetit shqiptar për mbështetjen personale dhe institucionale, duke theksuar se po largohet nga vendi ynë me kujtimet më të mira për këtë periudhë më tepër se trevjeçare, duke theksuar me bindje se “asgjë nuk do ta ndalë popullin shqiptar që me vlerat, energjinë dhe vendosmërinë e tij të ndërtojë një Shqipëri sa më të mirë të bazuar mbi vlerat universale të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe rritjes së mirëqenies së gjithanshme”. Ambasadori do të largohet nga Tirana duke lënë një situatë politike, ku vazhdon të mbizotërojë ngërçi politik, i nisur që prej zgjedhjeve të 28 qershorit, mes mazhorancës dhe opozitës. Fakt tjetër është edhe shtyrja për sesionin e ardhshëm parlamentar të votimit të projektligjit për SHISH-in, për të cilin ambasada e SHBA-së ka kritikuar përmbajtjen e tij. Presidenti amerikan, Barak Obama, ka propozuar Alexander Arvizun, diplomat karriere i Shërbimit të Huaj, në rangun e këshilltarit ministror si kandidat për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Emri i Aleksandër Arvizut u mësua në fillim të korrikut dhe duhet të konfirmohet nga Senati amerikan në vjeshtë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›