E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Ultranacionalistët nxitën debatin për regjistrimin

18/03/2011  Presidenti i Republikës takim me homologun maqedonas Ivanov

“Nuk do të lejojmë që asnjë ultranacionalist të deformojë ligjin në Shqipëri.”

Në konferencën e shtypit që zhvilloi dje së bashku me homologun e tij maqedonas, George Ivanov, Presidenti Bamir Topi foli dhe për çështjen e regjistrimit të popullsisë. Në këtë kontekst, Topi deklaroi se çështja e regjistrimit të popullsisë në vend është kthyer në një debat për shkak të ndërhyrjeve nga qarqe ultranacionaliste dhe jo për shkak të termit regjistrim popullsie. Dhe për këtë kreu i shtetit garantoi se “nuk do të lejojmë që asnjë ultranacionalist, ngado që të vijë, të deformojë ligjin dhe tendencën natyrore dhe legjitime në Shqipëri”. Pas një takimit të tij me Presidentin e Maqedonisë, George Ivanov, Presidenti Bamir Topi u pyet nga mediat maqedonase se përse në listat e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnie nuk ekziston termi maqedonas. Dhe për këtë temë, pavarësisht debatit që zhvillohet, Topi tha se “unë skam dëgjuar njeri që të thotë që jemi kundër regjistrimit të popullsisë, sepse shoqëria shqiptare në një përqindje mbi 95-96% është autoktone”. Kjo përqindje, shtoi ai, është përqindja më e lartë mbi bazën e sondazheve për çështje të integrimit e është projektuar me dëshirën, me aspiratën për tu anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Presidenti theksoi se regjistrimi i popullsisë do të behet dhe bazuar tek ligji, duke theksuar se askush nga ultranacionalistët nuk mund të dëmtojë këtë proces tërësisht ligjor. “Pra, problemi i regjistrimit është i domosdoshëm, por ky regjistrim duhet të jetë në përputhje të plotë me të drejtën e njeriut për tu shprehur i lirë dhe për të mos të qenë nën presion, qoftë për shkak të natyrave politike të presioneve apo interesave financiare, ekonomike a çdo interesi tjetër”, u shpreh Topi. Ndërsa sa i përket fqinjësisë me Maqedoninë, kreu i shtetit theksoi se “ne dëshirojmë fqinjësi të mirë dhe këtë e demonstruam dhe sot në takimin me Ivanov”. Zyra e shtypit e Presidencës theksoi në njoftimin e saj se bisedimet gjatë takimit u përqendruan kryesisht në zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe Maqedoni, në thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë fqinjë dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh, me qëllim realizimin e synimeve të përbashkëta eurointegruese.

Kufiri në Gollobordë

Pyetjes “Kush e pengon realizimin e kalimit kufitar në Gollobordë dhe si vlerësohen situatat vendore politike në lidhje me eurointegrimin, në të dyja vendet?”, Presidenti Topi iu përgjigj duke thënë se “kemi stimuluar hapjen e pikave të ndryshme kufitare që të lehtësojnë qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Të gjithë jemi dëshmitarë që sidomos vitet e fundit, kjo është çështje që shikohet me shumë predispozicion nga të dyja palët.”

Etnitë në Maqedoni

I pyetur nga gazetarët e pranishëm në konferencën e përbashkët për shtyp në lidhje me incidentet e fundit mes etnive në Maqedoni, Presidenti maqedonas Inavanov u shpreh se “ende në hapësirat tona kemi njerëz të cilët bëjnë përpjekje të manipulojnë me emocionet, me ndjenjat e njerëzve. Dhe ndihet një tendencë e disa njerëzve që ti mashtrojnë njerëzit në një bazë etnike, në bazë të përkatësisë së tyre etnike.”

Zhgënjimi i Topallit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, pas takimit që zhvilloi pasditen e djeshme me zëvendëspresidentin e Parë të Parlamentit të Austrisë, Fritz Neugebauer, ka komentuar kërkesën e PS-së për të hetuar veprimtarinë e Parlamentit. “Jam jashtëzakonisht e zhgënjyer që pas dy viteve rresht që kërkojnë mocion për shkarkimin e Jozefina Topallit nuk e gjetën burrërinë për të bërë një mocion për shkarkimin e Jozefina Topallit. Në të gjitha iniciativat e tyre, me dy mocionet e tyre kundër Jozefina Topallit, ata kanë dështuar dhe Jozefina ka fituar 2 me 0. Më vjen keq! Duhet të ishin më burra, sepse ka dy vjet që thonë që do të ngrenë një komision hetimor, që të bëjnë një mocion kundër Jozefina Topallit dhe nuk e bëjnë. E premtuan në nëntor, filluan një mocion kundër Jozefina Topallit, sepse koka e Jozefina Topallit u duhet dhe dështuan. E kthyen nga një mocion kundër Jozefina Topallit në një mocion me debat. Zoti Rama më 7 janar tha se kësaj radhe do bëjnë përsëri një mocion kundër Jozefina Topallit, dhe përsëri nuk e mbajti fjalën. Nuk i qëndroi asaj që tha. Nuk u bë mocion kundër Jozefina Topallit. Mua më vjen keq për ta! Nga Jozefina Topalli dhe nga koka e Jozefina Topalli ata shkojnë dhe përfundojnë te hetimi i shërbimeve ndihmëse të Kuvendit të Shqipërisë. Çfarë mund të them… Mazhoranca e ka votuar tashmë komisionin dhe unë isha e para që votova”, komentoi Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›