E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Zgjedhjet, prova e parë pas anëtarësimit në NATO

 

Zgjedhjet e 28 qershorit janë prova e parë e Shqipërisë pas anëtarësimit me të drejta të plota në NATO. Kështu deklaroi dje Presidenti Bamir Topi gjatë fjalës së mbajtur në forumin me temë “Shqipëria drejt anëtarësimit në NATO”. Kreu i shtetit theksoi se, “zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit janë jo vetëm testi i Shqipërisë për të ecur më tej në anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, por edhe guri i provës më i afërt që anëtarësimin tonë në NATO e kthen në përgjegjësi të përmbushur me sukses dhe të përligj besimin që aleatët tanë na kanë dhënë”. Sipas tij, krijimi i një infrastrukture zgjedhore në këtë proces elektoral nuk është gjithçka duhet në 28 qershor, pasi e njëjta rëndësi do t’i jepet edhe transparencës që do të bëjnë partitë për sa i përket fushatës elektorale. Topi theksoi gjithashtu se klasa politike ka detyrimin që përmes këtyre zgjedhjeve të shkëpusë vendin përfundimisht nga udhëkryqet politike e historike. “Standardet e kërkuara të zgjedhjeve politike të qershorit nuk përmbushen vetëm duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, por edhe duke bërë një fushatë transparente, programore, vizionare dhe etike për të ndërgjegjësuar qytetarët se vetëm nëpërmjet votës së lirë, ata mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe ndërtimit të së ardhmes së tyre. Përpos detyrimit ligjor ndaj shtetasve të saj, politika shqiptare nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor, ka përgjegjësinë e madhe ta shkëpusë përfundimisht këtë vend nga udhëkryqet historike dhe politike”, theksoi më tej Presidenti Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›