Zgjedhjet, kontroll financave të partive
Aristir Lumezi
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është gati të kontrollojë financimin e partive politike në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. Këtë e bëri të ditur dje kreu i këtij Inspektorati, Adriatik Llalla, gjatë raportimit vjetor në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Sipas tij, “lidhur me financimin e partive politike, mendoj se institucioni ynë ka kapacitetet e duhura për ta marrë përsipër këtë përgjegjësi, si institucionet homologe në vendet e Evropës Perëndimore merren me kontrollin e financave të partive. ILDKP ka dhe bazën e duhur teknologjike për regjistrimin e të dhënave”. Gjatë seancës në komision, anëtari i opozitës në Komisionin e Ligjeve, Fatmir Xhafaj, kërkoi më shumë informacion nga kreu i ILDKP-së për sa i përket marrëdhënieve të këtij institucioni me ligjin e konfliktit të interesit. Duke iu përgjigjur interesimit të opozitës, Llalla theksoi se ka nevojë për rishikim të ligjit për shkak të përsëritjeve të shumta, por kjo nuk e ka penguar ILDKP-në në identifikimin e rasteve me konflikt interesi. Në përfundim të seancës, pozita dhe opozita në komision vlerësuan punën e bërë nga Inspektorati gjatë këtij viti.
Marrëveshja
Në kuadër të strategjisë kundër evazionit fiskal të krimit ekonomiko-financiar, ILDKP-ja firmosi dje katër marrëveshje me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, me Avokaturën e Shtetit dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjeve, kreu i ILDKP-së, Adriatik Llalla tha se, “shkëmbimi i informacioneve dhe të dhënave siç është parashikuar në këto memorandume bashkëpunimi, do t’i shërbejnë institucionit tonë për një hetim më të plotë dhe të gjithanshme të rasteve të deklaratave dhe interesave private të zyrtarëve të zgjedhur publikë. Shpresoj që ky memorandum bashkëpunimi të nënshkruar sot me institucionet përkatëse t’i shërbejë forcimit të integritetit të institucioneve publike dhe shtetit ligjor në përgjithësi”. Nga ana e saj, Avokatura e Shtetit për herë të parë angazhohet në luftën kundër pastrimit të parave nga funksionarët e administratës shtetërore. “Zyrtarët, të cilët i kanë shkaktuar një dëm shtetit duke fshehur pasuritë e krijuara gjatë kohës që ata kanë qenë në detyra shtetërore, do t’i drejtohen organeve të drejtësisë dhe do të çojmë deri në fund procesin gjyqësor përkatës, qoftë në Gjykatë të Shkallës së Parë, qoftë në ekzekutimin e vendimit. Kjo do të jetë në rolin kryesor dhe vendimtar të Avokaturës së Shtetit”, tha Eduard Halimi, Avokati i Shtetit. Sipas memorandumit të nënshkruar dje, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave angazhohet në marrjen e masave për sigurimin e provave, kur kërkohet nga ILDKP gjatë zhvillimit të një procedure hetimore për rastet kur nuk mund ta bëjë vetë një gjë të tillë, duke shfrytëzuar hapësirat e saj ligjore për investigim brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, siç parashikohet edhe në Memorandum, angazhohet për përshpejtimin e procedurave ligjore në rastet e verifikimit të pasurive të fituara nga fshehja e detyrimeve fiskale për subjektet që mbartin detyrimin për deklarimin e interesave private”, thuhet më tej në njoftimin për shtyp të ILDKP-së.