E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi, apel qytetarëve: Pajisuni me karta identiteti



Presidenti, në sportel për kartën e identifikimit

“Letërnjoftimet, detyrim i Bashkimit Evropian”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u bën apel qytetarëve shqiptarë që të pajisen me kartat e identitetit si një detyrim që duhet për përmbushur brenda afatit të përcaktuar. Kreu i shtetit u kujtoi shqiptarëve se letërnjoftimi elektronik, përveçse u garanton të drejtën e votës, redukton bezdinë e certifikatave. Madje sipas tij, hap dhe dyert e Bashkimit Evropian. Vetë z. Topi, i shoqëruar nga familja presidenciale, bashkëshortja dhe dy vajzat, ishte dje në sportel, në njësinë bashkiake nr. 9, ku aplikuan për kartat e tyre të identitetit. Ai përcolli mesazhin: “Sa kohë shpenzoni duke tentuar që të pajiseni me certifikata, që shpeshherë duhen në mjaft drejtime, do të jenë njerëz të siguruar, do të jenë qytetarë të denjë të një Evrope, tek e cila ne shpresojmë të shkojmë. Do të ishte një mesazh shumë i mirë edhe për vendet partnere që ne jemi të gjithë të regjistruar, më së fundmi të japim një shifër të saktë të popullsisë”. Presidenti kërkoi më tepër punë propagandistike nga institucionet përgjegjëse, pasi sipas tij, interesi i qytetarëve për të aplikuar dhe për t’u pajisur me karta, sipas tij, ka rënë dukshëm. Topi vuri në dukje: “Jo si një President i Republikës, por si një qytetar i thjeshtë, duhet t’u bëj thirrje të gjithëve, se sa kohë shpenzoni për t’u pajisur me certifikata që duhen në disa drejtime, sidomos studentët..., të marrin kartën e identitetit dhe madje kështu do të jenë njerëz të siguruar, qytetarë të denjë të një Evrope ku ne kemi synim të shkojmë”. I pyetur për fluksin e qytetarëve për aplikim, Presidenti theksoi: “Pajisja me karta është nevojë dhe jo detyrim”. Duke qëndruar në sportel, duke vënë re se kishte një fluks të madh nga qytetarët, Topi theksoi: “Ka ende inerci dhe them se njerëzit shkojnë aty ku shprehet detyrimi, por unë mendoj se nuk duhet parë si një bazë detyrimi, por duhet parë si nevojë dhe me vullnet të paraqiten aty”. Kreu i shtetit u bëri thirrje institucioneve të bëjnë më shumë propagandë për procesin e pajisjes së qytetarëve me dokumentet e reja të identifikimit. Ndërkohë, një apel tjetër iu drejtua partive politike. “Institucionet duhet të bëjnë patjetër një propagandë dhe partitë politike nuk duhet ta shohin këtë proces vetëm në funksion të ditës së votimit. Por qytetarët duhet të jenë të identifikuar, pasi ky proces do t’i shërbejë imazhit të shqiptarëve në botë”, - theksoi z. Topi. Kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike janë kusht i Bashkimit Evropian për plotësimin e standardeve ndërkombëtare. Pavarësisht nga pretendimet e opozitës për manipulim në proces, qeveria “Berisha” ka garantuar se zgjedhjet do të realizohen me dokumentet e reja të sigurisë së lartë, ndaj dhe Presidenti Topi shpjegoi momentin e djeshëm të aplikimit: “Natyrisht, unë zgjodha këtë ditë për të aplikuar, jo se nuk kam pasur mundësinë më parë, por e shoh se ky është një moment për të bërë një sensibilizim të gjerë publik. Të gjitha institucionet duhet të bëjnë patjetër propagandë në këtë sens dhe partitë politike nuk duhet ta shohin pajisjen e qytetarëve me karta identiteti vetëm në funksion të ditës së votimit”, - theksoi z. Bamir Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›