E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi darkon menjëherë me drejtuesit e FRD. Besnik Mustafaj: Bamiri do e drejtojë këtë parti

Menjëherë pas ceremonisë zyrtare, gjatë së cilës i dorëzoi Bujar Nishanit postin e kreut te shtetit, ish presidenti Bamir Topi ka preferuar që orët e para të tij si qytetar i thjeshtë ti kalojë në një nga lokalet e kryeqytetit duke darkuar me miqtë e afërt. I shoqëruar nga bashkëshortja, zoti Topi është ulur në një tryezë me Gazmend Oketën, Aleksandër Biberaj, Besnik Mustafaj, Sali Shehun, pjesa më e madhe e të cilëve drejtues të partisë Fryma e Re Demokratike.

Në darkë nuk ka munguar dhe stafi i tij i afërt gjatë qëndrimit në presidencë. Por këtë takim Topi nuk e komentoi si një rinisje të axhendës së tij politike, pa mohuar një rikthim në jetën politike, ai u shpreh se i duhet ende pak kohë. I pyetur nga Vizion Plus lidhur me tonet kritike që Nishani përdori ndaj tij gjatë betimit në parlament, Topi është shprehur se nuk e ka marrë personale pasi Shqipërisë i mbeten ende shumë sfida në sistemin e drejtësisë. Duke lënë në fund mesazhin se duhet që të ketë një angazhim më të madh politik për ta çuar vendin përpara, ish presidenti është afruar të tryeza ku e prisnin miqtë e tij.

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj komentoi pjesëmarrjen në këtë darkë duke u shprehur haptas se në krye të FRD-së duhet të jetë Bamir Topi.

Unë jam këtu si një mik i Bamir Topit, por edhe si një qytetar i Republikës së Shqipërisë, si një nga shumë qytetarët e tjerë të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, të cilët janë të bindur që presidenca e zotit Topi ishte shumë e suksesshme. Këtë emër të mirë me veprimtarinë e tij në të ardhmen zoti Topi do e rrisë më tej, do e vërë në veprim të Shqipërisë. Nuk është një mister për asnjë se Bamir Topi është një ndër themeluesit e FRD-së. Unë besoj se Topi do ta drejtojë këtë forcë politike. Megjithëse nuk jam zëdhënës i Topit dhe nuk mund të flas në emër të atij, tha Besnik Mustafaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›