E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi dekreton shkarkimin e nxjerrjen në rezervë të 4 ushtarakëve të lartë

TIRANË- Faqja zyrtare e Presidencës së Republikës së Shqipërisë njofton se presidenti Bamir Topi ka dekretuar shkarkimin dhe nxjerrjen në rezervë të katër funksionarëve të lartë të Forcave të Armatosura.

Njoftohet se presidenti Bamir Topi dekretoi shkarkimin dhe nxjerrjen në rezervë të Zëvendës komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Vladimir Qirjazit. Në dekretin e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës thuhet si më poshtë:

"Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe të nenit 7, pika 8 të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Mbrojtjes, dekretoj shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në reserve të Gjeneralbrigade Vladimir Qiriazi, Zëvendëskomandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes".

Kreu i shtetit po ashtu firmosi shkarkimin nga detyra dhe nxjerrjen në rezervë të Komandantit të Forcave Detare, Kudret Çela.

Ndërkohë, në dy dekrete të tjera Presidenca njofton se kreu i shtetit, dekreton nxjerrjen në rezervë të oficerit me gradë madhore Arian Zaimi, me detyrë këshilltar ushtarak i ministrit të Mbrojtjes, si dhe  nxjerrjen në lirim të oficerit me gradë madhore Gjeneral Major Maksim Hamza Malaj.

Mes emrave të prekur nga dekretet e presidentit është edhe Arian Zaimi, atashe ushtarak i Shqipërisë në NATO për një pjesë kohe të konsiderueshme.

Sipas njoftimit zyrtar të zyrës së Presidencës dekretet janë propozuar nga ministri i Mbrojtjes dhe hynë në fuqi menjëherë.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›