Topi falënderon Sejdiun për urimin pas anëtarësimit në NATO

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi i ka dërguar një letër falënderimi, Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiut në të cilin e ka falënderuar për mesazhin e tij me rastin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO."Dëshiroj t'ju falënderoj në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Shqipërisë për mesazhin tuaj të sinqertë, e në të njëjtën kohë t'ju përgëzoj për hapat tuaj të deritanishëm në rrugën e integrimit euroatlantik të Kosovës", thuhet në letrën e presidentit Topi.Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO - theksohet më tej në letër - përbën një arritje me rëndësi, jo vetëm kombëtare por edhe rajonale me efekte të drejtpërdrejta në stabilitetin, paqen e sigurinë afatgjatë në rajonin e Ballkanit."Ajo ofron shembullin e shpresës për të gjithë kombet tona, se integrimi e demokracia kthehen në realitete kur ka vullnet dhe vendosmëri për të ecur në rrugën që kërkon e ardhmja e përbashkët e fëmijëve tanë", thuhet në letrën e presidentit Topi.