E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi fton biznesin turk të investojë në Shqipëri

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në ditën e dytë të vizitës së tij në Turqi, u ka bërë thirrje biznesmenëve të fuqishëm turq që të rrisin investimet e tyre në Shqipëri. Duke u premtuar se tashmë në Shqipëri ekziston një klimë e favorshme për të bërë biznes, pasi është krijuar kuadri i duhur ligjor dhe janë krijuar lehtësira fiskale, Presidenti u ka kujtuar se investimet më të leverdishme mund të bëhen në fushën e energjetikës, infrastrukturës dhe industrisë së turizmit. "Në Shqipëri ka shumë sektorë që paraqesin interes të veçantë për të investuar dhe ndër to unë do të veçoja energjetikën, infrastrukturën dhe industrinë e turizmit, që ju ftojnë të llogarisni shanset tuaja për të investuar dhe maksimizuar fitimet tuaja", është shprehur Presidenti Topi. Sipas tij, klima e biznesit ka ndryshuar pozitivisht: barra fiskale është e vogël, barrierat e procedurave administrative janë zvogëluar, të drejtat mbi pronën dhe titujt e pronësisë kanë hyrë në procesin e standardizimit, sistemi i drejtësisë po reformohet në të gjitha drejtimet, korrupsioni ka shënuar rënie të dukshme dhe janë forcuar shumë tiparet e shtetit ligjor. Për kreun e shtetit shqiptar, "marrëdhëniet politike duhet të shkojnë në sinkron me ato ekonomike. Politika pa biznesin, do ishte një demagogji, do të ishte retorikë. Politika duhet të krijojë terrenin e nevojshëm për shkëmbime ekonomike në tregun ballkanik me 130 milionë banorë, ku hyn edhe Turqia me rreth 70 milionë". Në fund të vizitës së tij zyrtare në Republikën e Turqisë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vizitoi dhe Universitetin e Bosforit, ish-Robert kolegjin në Stamboll, ku u prit nga Rektori, Prof. Dr. Kadri Ezcaldiran në Zyrën e Presidentit dhe Qendrën e Konferencave. Presidenti Topi pa nga afër godinat, mjediset dhe kampusin universitar, ku ka studiuar dikur dhe i ati i tij, si dhe u njoh nga shoqëruesit gjatë kësaj vizite me historikun dhe disa prej kurikulave kryesore të këtij Universiteti. Gjithashtu, Kryetari i Shtetit u takua dhe u përshëndet me disa studentë shqiptarë që ndjekin studimet e larta në këtë institucion arsimor. Gjatë bashkëbisedimit, Presidenti Topi vlerësoi rolin e rëndësishëm të Universitetit me famë të Bosforit, të themeluar që më 1863 nga misionari amerikan, Sajrus Hemlin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›