E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi mbështetësve në PD: Votoni si ta mendoni vetë

"Votoni si t'i mendoni ju propozimet për ndryshimet në Kushtetutë", kështu, mësohet t'u jetë drejtuar të dielën në mbrëmje Presidenti Topi, tre prej mbështetësve të tij, Pal Dajçit, Sali Shehut dhe Ndriçim Babasit.

ADI SHKEMBI

Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, disa prej deputetëve janë takuar me kreun e shtetit në shtëpinë e këtij të fundit, ndërkohë që, pjesa tjetër janë mbledhur në një prej lokaleve të kryeqytetit. Burime pranë këtij takimi në shtëpinë e Topit, bëjnë të ditur për gazetën se tre deputetët kanë deklaruar se: "Në këtë pikë ku erdhi debati, pas mbledhjes së grupit dhe pas qëndrimit tonë, është më mirë që ne të votojmë më mirë kundër gjithë paketës së ndryshimeve në Kushtetutë". Nga ana tjetër Presidenti Topi mësohet t'u ketë propozuar deputetëve që të votojnë pro paketës në parim dhe të gjitha nenet e saj dhe të votojnë kundër vetëm për nenin 87, i cili përcakton edhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit. Por deputetët Babasi, Shehu e Dajçi, nuk e kanë pritur mirë këtë propozim fillimisht, duke thënë se ata rrezikojnë gjithçka me këtë votim. Më pas, kreu i shtetit mësohet t'u ketë thënë deputetëve që të votojnë si ta mendojnë më mirë ata. Ndërkohë edhe gjatë ditës së djeshme, kreu i shtetit ka qenë mjaft kritik me mënyrën, se si po votohet paketa kushtetuese. Duke folur në konferencën për shtyp me homologun e tij kroat, Stipe Mesiç, Presidenti Topi tha se, ndryshimet në Kushtetutë duhet të bëhen me diskutime të gjera me të gjithë aktorët në vend. "Mund t'ju them që çështja e prekjes së Kushtetutës, nuk ka të bëjë thjesht me çështjen e zgjedhjes së Presidentit. E kthejmë në vëmendjen tuaj, që të mos fokusoheni vetëm tek kjo pikë, se ka një çështje që është zemra besoj e këtij procesi, që është reforma zgjedhore. Eshtë edhe një çështje tjetër, ajo e mocionit ndaj Kryeministrit. Në funksion të reformave mund të dalë e nevojshme që Kushtetuta të preket. Dhe askush nuk besoj që ka qenë kundër përshtatjes së Kushtetutës me nevojën e reformave”.

Koçi: Synohet shteti kryeministror

Deputeti socialist, Petro Koçi, u shpreh kundër amendamenteve të dy partive. "Eshtë një moment kur ndryshojmë Kushtetutën dhe këtë e bëjmë me mënyrën më të ulët, pa parametra demokratike. Ky projekt i ardhur nga bashkëqeverisja, synon shtetin kryeministror. Po vjen një projekt që synon privatizimin e qeverisë dhe partive. Edhe listat e deputetëve do të jenë pronë e kryetarit, Dushkun e mëparshëm po e çojmë në një Dushk të ri. Mua më vjen keq për disa kolegë të mi. Projekti bie ndesh me mësimet dhe pësimet e politikës. Disa nga këtu për një vend në listë i ka zënë nata jashtë. Një pjesë e deputetëve janë autorë të këtij krimi, një pjesë tjetër do jetë viktima e tij", tha Koçi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›