Topi me misionin e KiE:Pavarësi e institucioneve
TIRANE- “Në një vend të vërtetë demokratik, mbi të gjitha e në çdo rast duhet të ruhen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës. Kete mesazh kane ndare se bashku, kreu i shtetit, Bamir Topi dhe raportuesit e KiE, parlamentari çek Tomas Jirsa dhe ai moldav Grigore Petrenco, qe ndodhen ne diten e dyte te vizites se tyre ne vendin tone.
Presidenca ka zbardhur detaje te takimit dhe ben me dije se gjatë tij, Kreu i Shtetit dhe anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës vlerësuan dialogun e rivendosur midis mazhorancës dhe opozitës, të konkretizuar me Planin e Rishikuar të Veprimit në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit Evropian, si një hap i domosdoshëm për të realizuar aspiratën e popullit shqiptar për integrim zyrtar në Bashkimin Evropian.
“Bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi zhvillime të tjera parësore të vendit, mbi ecurinë e deritanishme të reformave elektorale dhe parlamentare, mbi luftën kundër korrupsionit, për çështjet e pronave si dhe mbi hetimet për ngjarjet e 21 janarit 2011, për të cilat ndanë të njëjtën pikëpamje se në një vend të vërtetë demokratik, mbi të gjitha e në çdo rast duhet të ruhen e të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, por dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese, sidomos për funksionimin e suksesshëm të shtetit të së drejtës- theksohet ne deklaraten e presidences.
Sipas saj, bashkëraportuesit vlerësuan rolin e rëndësishëm dhe moderator të Kryetarit të Shtetit, duke ruajtur ekuilibrin mes forcave politike dhe duke shërbyer si garant i Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.
Mbi këtë shembull intelektual e korrekt të zbatimit të detyrës më të lartë shtetërore duhet të orientohet e të veprojë klasa politike shqiptare në procesin e zgjedhjeve të afërta presidenciale- citohet te kene thene ata.
Sipas tyre, dëshira dhe vullneti i mirë për të punuar siç duhet, dhe miradministrimi i të gjitha potencialeve të vendit do të sjellin natyrshëm zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe fuqizimin e saj edhe në kuadër të integrimit të pritshëm në gjirin e familjes së madhe evropiane.