E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Furtunë” në Fier, arrestohen 9 policë rrugorë

14/01/2010  Hetim në gjendje të lirë dhe 8 të tjerë. Akuza për mitmarrje, hetoheshin prej muajsh
FIER- Furtunë në Fier, 9 policë të rrugores bien në pranga. Ka qenë mitmarrja ajo që ka sjellë edhe arrestimin e 9 policëve, ndërsa sipas burimeve nga Prokuroria e Fierit, mësohet se janë në hetim në gjendje të lirë edhe 8 policë të tjerë, po të Policisë së Qarkullimit Rrugor.
Hetimi
Burimet nga Prokuroria e Fierit bëjnë me dije se prej më shumë se katër muajsh ky organ akuze kishte marrë përsipër që së bashku me shërbimin e kontrollit të brendshëm në Ministrinë e Brendshme, të hetonte rreth më shumë se 50 policëve, të cilët ishin të dyshuar për afera korruptive. “Kishim vënë në dispozicion kamera të fshehta si dhe drejtues mjetesh, njerëz të besuar, të cilët u sollën si drejtues me shkelje në dokumentacione dhe me veprime te tjera që përbënin shkelje të qarkullimit rrugor. Kjo na bëri që të siguronim provat e nevojshme për të besuar që këta 9 policë, si dhe 8 të tjerë të ishin të përfshirë në mitmarrje më shumë se një herë”, kështu deklarojnë burimet nga brenda Prokurorisë së rrethit Fier. Ndërkohë arrestimet janë bërë në bashkëpunim me policinë e shtetit duke lënë kështu jashtë policinë e qarkut Fier, e cila për shkak të të qenit kolegë me policët nuk ka ndërhyrë.
Të arrestuar
Ndërkohë të arrestuarit: Leonard Brahimaj, Vladimir Gjini, Pëllumb Cepele, Ermir Gjonce, Flamur Derveni, Bardhosh Malaj, Anesti Gjini, Pellumb Toro, Arjan Xheka ndodhen në dhomat e izolimit në Fier. Këto uniforma kryenin shërbimin në akset rrugore Fier-Lushnjë, Fier-Vlorë. Sipas disa burimeve, mësohet se edhe më parë këta policë ishin kthyer në tmerrin e drejtuesve të mjeteve, ndërkohë që edhe për shumë të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, ka pasur ankesa të shumta që deri tani nuk ishin marrë në konsideratë. Ajo që vlen për t’u theksuar, sipas Prokurorisë, është edhe fakti se nën hetim ndodhen edhe 35 drejtues automjetesh, të cilët akuzohen për korrupsion pasiv duke ofruar ryshfet, ndërsa nuk kanë denoncuar rastet e mitmarrjes. Për sa i përket shërbimit të qarkullimit rrugor në Fier kohët e fundit ka pasur shumë shigjetime dhe ankesa publike jo vetëm për mungesën e shërbimit, por edhe për vënien e gjobave marramendëse dhe të pamotivuara.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›