E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi, në samitin "Gazi natyror për Evropën"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, mori pjesë dje në samitin "Gazi natyror për Evropën: Siguria dhe Partneriteti", në Sofje të Bullgarisë. Në seancën e parë plenare të këtij samiti, kryetari i shtetit ka mbajtur një fjalë në prani të kryetarëve të shteteve dhe drejtuesve të lartë të 28 vendeve nga Evropa Juglindore, rajoni i Detit të Zi dhe i Kaspikut, Azia Qendrore, dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, përfaqësuesve të lartë të institucioneve të BE-së. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Topi shprehu falënderimet për Presidentin e Bullgarisë, Parvanov, për organizimin e këtij Samiti Ndërkombëtar, duke vlerësuar se ai i kapërcen dimensionet e rajonit tonë për nga niveli, nga pjesëmarrja, ashtu dhe për çështjet që trajton. Pasi vuri në dukje faktin se sigurimi dhe qëndrueshmëria e furnizimit me energji po bëhen gjithnjë e më shumë çështje me një ndjeshmëri të lartë, si dhe sfidat kryesore të çdo vendi në rajon dhe përtej tij, kryetari i shtetit theksoi se "Shqipëria inkurajon dialogun, kooperimin dhe partneritetin ndërmjet vendeve prodhuese, tranzituese dhe konsumatore, sepse është e dobishme që politikat e zhvillimit të orientohen si drejt rritjes së burimeve vendore, ashtu dhe drejt diversifikimit të furnizimit, me anë të integrimit të rrjeteve dhe të projekteve në infrastrukturat e mëdha të energjisë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›