Topi pret Ministrin britanik të Drejtësisë Lordin Mekneli

Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë, Bamir Topi është takur sot me Ministrin e Shtetit për Drejtësinë të Mbretërisë së Bashkuar, Lordin Tom Mekneli dhe delegacionin zyrtar që e shoqëron gjatë kësaj vizite në vendin tonë.
Kreu i Shtetit bëri një panoramë të hollësishme të reformës gjyqësore dhe të ushtrimit nga KLD-ja të kompetencave kushtetuese dhe ligjore me qëllim rritjen e profesionalizmit, integritetit dhe paanshmërisë së gjyqtarëve si dhe theksoi nevojën që vullnetet politike duhet të shprehen qartë dhe në vazhdimësi për përparimin dhe zbatimin e plotë e të suksesshëm të reformës në gjyqësor.
"Arritja e këtij objektivi madhor, e shoqëruar me transparencë të plotë do të rikthente besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe do të mundësonte edhe plotësimin e kritereve të kërkuara në funksion të përmbushjes së aspiratës së vendit tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian", - vuri në dukje Presidenti Topi.
Ministri britanik i Shtetit për Drejtësinë, Lordi Tom Mekneli vlerësoi arritjet e bëra në Shqipëri në fushën e drejtësisë, duke theksuar nevojën e kalimit nga zotimet në vepra konkrete përsa i përket reformës në gjyqësor, si dhe vuri në dukje rolin pozitiv dhe moderator të luajtur nga Presidenti i Republikës në këtë drejtim. Lordi Mekneli theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes forcave politike të të gjithë krahëve për konsolidimin e shtetit të së drejtës, institucioneve të pavarura demokratike si dhe për vazhdimin e suksesshëm të reformat jetike për vendin dhe të ardhmen e tij evropiane.
Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplote e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Fiona Mekuilam.