E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi propozon Sali Shehun për kreun e KLSH-së

28/10/2011  Pritet votimi në Kuvend i dekretit të Presidentit

Presidenti Bamir Topi ka dekretuar paraditen e djeshme propozimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), ku kandidati për këtë post është Sali Shehu. Pas dekretimit të Shehut si njeriu që do të zëvendësojë kreun aktual të KLSH-së, Robert Çekun, propozimin e tij po dje Presidenti Topi ia ka kaluar Kuvendit për votim. “Në mbështetje të neneve 162, pika 2 dhe 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 11 të ligjit 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, i ndryshuar, zoti Sali Shehu i propozohet Kuvendit për t’u zgjedhur kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, - thuhet në dekretin presidencial të publikuar nga zyra e shtypit të Presidentit. Sipas ligjit, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës me shumicë absolute votash. Kjo do të thotë se zotit Shehu për t’u konfirmuar në krye të KLSH-së do t’i duhen 71 vota.

Mbetet për t’u parë qëndrimi që do të mbajë mazhoranca qeverisëse ndaj këtij kandidati, ndërkohë kryetari aktual i KLSH-së, Robert Çeku, është në përfundim të mandatit 7-vjeçar në këtë detyrë. Kontrolli i Lartë i Shtetit konsiderohet një institucion mjaft i rëndësishëm, sepse sipas ligjit është institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik dhe financiar. KLSH-ja i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Nëse zgjidhet kryetar i KLSH-së, Sali Shehu do të qëndrojnë në detyrë për 7 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje. Në të shkuarën e marrëdhënieve institucionale mes Presidentit dhe mazhorancës dekretet e kreut të shtetit për gjyqtarët kanë qenë gjithmonë të paragjykuara. Kreu i qeverisë e ka shprehur hapur qëndrimin e tij aspak vlerësues për Presidentin Topi, që para pak vjetësh ishte bashkëpunëtori i tij i ngushtë, por Berisha nuk ka preferuar të përfshihet në mënyrë publike në debatin e ndezur këto ditë mes Kryetares së Kuvendit dhe Bamir Topit.

Profil

Për shumë vjet Sali Shehu ka qenë deputet i Partisë Demokratike si dhe në legjislaturën e kaluar të Kuvendit 2005-2009. Mospërfshirja e tij në zgjedhjet e 28 qershorit 2009 në listën e kandidatëve për deputet nga PD-ja për rrethin e Peshkopisë u bë për shkak të qëndrimit të tij në favor të Bamir Topit. Sali Shehu ishte njëri nga tre deputetët e PD-së që më 16 prill të 2008-s votuan hapur kundër variantit të miratuar nga PD e PS për zgjedhjen e presidentit në komisionin e Ligjeve, që presidenti i Republikës të zgjidhej nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë votash. Në argumentimin e tij Shehu, duke dalë kundër Berishës, ka argumentuar se nuk mund të zgjidhej një president më shumicë të thjeshtë, në rast se nuk arrihej kuorumi në tre raundet e para, duke mbështetur tezën e hedhur prej ditësh se në rast të moszgjidhjes së presidentit nga Kuvendi raundin e fundit, ai të zgjidhej nga populli (tezë kjo e mbrojtur me forcë edhe nga Presidenti aktual Topi). Ndaj votimi i tij në parlament pritet me interes për të parë qëndrimin e mazhorancës ndaj tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›