E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbogar: BE e shqetësuar për Shqipërinë

Nga Express më 02 shkurt 2011 në ora 15:30

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm shqiptar, njëkohësisht zëvendëskryeministrin, Edmond Haxhinasto, ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Samuel Zbogar, tha se kishte ardhur në Tiranë për të dëgjuar dhe kuptuar mirë se çfarë po ndodh aktualisht në vend.

“Shqipëria si gjithë rajoni është në oborrin e brendshëm të BE-së, pra ajo çka ndodh në Shqipëri ndodh dhe në BE, ndaj unë erdha këtu me qëllim që të dëgjoj dhe kuptoj më mirë cilat janë çështjet dhe problemet që diskutohen”, tha Zbogar.

Ministri Slloven theksoi se gjatë bisedës me homologun shqiptar ia kishte arritur këtij qëllimi dhe informoi për takime me liderë të tjerë të vendit “për të parë se çfarë mund të bëjë Sllovenia e BE që të ndihmojë Shqipërinë në rrugën e procesit të integrimit”
“Më lejoni të theksoj se receta më e mirë është nxitja e dialogut politik dhe e mirëkuptimit midis palëve”, nënvizoi ministri i Jashtëm slloven.

Duke iu referuar demonstratës së 21 janarit, Zbogar theksoi se gjithkush ka të drejtë të protestojë.

“ Natyrisht në një shoqëri demokratike nuk ka asnjëherë vend për ushtrimin e dhunës. Në Shqipëri ka dhe institucione të drejtësisë dhe këto probleme duhen adresuar në këto institucione”, theksoi Zbogar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›