Topalli në krye të Kuvendit për 4 vjet të tjerë
09/09/2009 Kryetarja shpreh keqardhje për mungesën e opozitës në sallë
Mazhoranca qeverisëse ka rizgjedhur në postin e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë edhe për katër vite të ardhshme Jozefina Topallin. Kandidatura e saj, e vetmja e propozuar për këtë post, mori 74 vota kundrejt 1 vote kundër. Emri i saj u propozua nga Partia Demokratike, e mbështetur edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim. “Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar propozimin për Kryetar Kuvendi emrin e Jozefina Topallit. Këtë dokument, ku firmëtarët janë shumë më tepër se 15 që parashikon Rregullorja e Kuvendit, e kanë nënshkruar edhe deputetë të forcave politike që do të bashkëqeverisin me PD-në për katër vitet e ardhshme”, propozoi kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Procesi i votimit në respektim të Rregullores së Kuvendit u realizua i fshehtë, me kuti dhe pa debate, nën drejtimin e komisionit të ngritur gjatë seancës së djeshme. Në përbërje të tij ishin: Ilir Bano, Sokol Olldashi, Arenca Trashani dhe Igli Tare nga PD-ja dhe Dritan Prifti nga LSI-ja. Pas shpalljes së rezultatit të procesit të votimit, të shoqëruar me duartrokitje dhe dhurime tufash me lule në adresë të Kryetares Topalli, kjo e fundit bëri përshëndetjen e rastit, ku nuk la jashtë vëmendjes as mungesën e opozitës. Ashtu si edhe Kryeministri Berisha, ajo i ftoi deputetët e opozitës të vijnë në Kuvend, si dhe u shprehu gatishmërinë për bashkëpunim. “Unë e pranoj me shumë përulësi zgjedhjen si Kryetare e Kuvendit për herë të dytë. E vlerësoj si një privilegj të jashtëzakonshëm për t’i shërbyer vendit tim, por ndërkohë shpreh keqardhjen që opozita nuk është sot në vendet e saj, për të nderuar votën e qytetarëve socialistë. Por unë shpresoj shpejt për një periudhë debatesh të vlefshme e një opozitë racionale me synimin në interesat e përbashkëta të shoqërisë e Shqipërisë. Pavarësisht nga diferencat që kemi me opozitën, ne jemi qytetarë shqiptarë. Dhe sot dua t’i përsërisim që jemi të hapur për bashkëpunim. Ne do të bashkëpunojmë. Këtë na e thotë misioni, këtë na e kërkon Shqipëria”, tha ajo duke mos harruar një falënderim të veçantë ndaj PD-së, që i ribesoi këtë detyrë. Lidhur me objektivat e institucionit të Kuvendit, me të në krye, Topalli shpalosi edhe objektivat për katër vitet e ardhshme. “Bashkë do të bëjmë çdo gjë, për ta shndërruar këtë institucion në lokomotivën e legjislacionit evropian të Shqipërisë, do të bëjmë edhe më të fuqishme diplomacinë parlamentare, do të bëjmë avokatinë e interesave të Shqipërisë e shqiptarëve, do të punojmë për të rritur kontrollin e qeverisjes në çdo shtyllë të këtij shteti. Në proceset integruese Parlamenti do të luajë rolin e vet primar, siç i takon”, përfundoi ajo.