Topi u hap rrugë ndryshimeve në policinë gjyqësore
Presidenti Bamir Topi dekreton katër projektligjet e miratuara në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës. Kreu i shtetit ka vendosur dje firmën e dekretimit për një prej projektligjeve më të debatuara në Kuvend mes mazhorancës dhe opozitës për policinë gjyqësore. Projektligji për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore, projektligji për transportet rrugore dhe sektori minerar janë tre nga ligjet e dekretuara prej Presidentit Topi. Në listën e ligjeve që kanë marrë miratimin nga Presidenti është edhe ligji që i jep hapësirë për veprim ngritjes së agjencisë shqiptare të zhvillimit të investimeve. Ajo që vihet re në dekretet e Presidentit Bamir Topi është mungesa e dekretimit të ligjit për ‘faljen’. Ky ligj pritet të kalohet në heshtje, ndërkohë që koincidenca që lidhet me ligjin ‘për faljen’ është se katër projektligjet që janë dekretuar dje nga Presidenti, janë miratuar pas ligjit ‘për faljen’, që mori vetëm votat e mazhorancës në Kuvend. Të katër dekretimet janë bërë në mbështetje të neneve 84, pika 1 dhe 93 e Kushtetutës.
#