E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topolanek: Shqipëria? Rrugë të gjatë për në BE

Kryeministri çek, Mirek Topolanek, udhëheqësi i presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, mori pjesë dje në një bashkëbisedim online me gazetarë të ndryshëm. I pyetur nga mediat në Shqipëri, Topolanek tha se "Shqipëria, ashtu si edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ka planet dhe ambiciet e saj për t‘u integruar në strukturat euroatlantike". Sipas tij, "fakti se Shqipëria sapo u bë anëtare me të drejta të plota në NATO, demonstroi qartë aftësinë e saj për të përmbushur këto detyrime". "Fakti se Shqipëria sapo ka plotësuar aplikimin për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian nuk do të thotë asgjë më tepër se sa fakti se ky vend sapo e ka filluar këtë proces", nënvizoi Kryeministri çek, Topolanek. "Shqipëria nuk ka qenë deri tani në gjendje të plotësojë disa standarde fikse të Bashkimit Evropian dhe ne e dimë fort mirë sa shumë kohë dhe përpjekje duhet për të përmbushur këto standarde", u shpreh Topolanek. Aplikimi, vijoi ai, së pari paraqet vullnetin e popullit shqiptar për të filluar procesin e negociatave të anëtarësimit, megjithatë kjo rrugë është ende shumë e gjatë. "Në perceptimin tim, çdo vend që plotëson kriteret e Bashkimit Evropian duhet të ketë të drejtën të afrohet në Bashkim", tha Topolanek. Në deklaratat e tij, Topolanek nuk preferoi t‘u përgjigjet pyetjeve nëse e ka dorëzuar apo jo aplikimin e Shqipërisë te Havier Solana. Më 28 prill, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, dorëzoi zyrtarisht aplikimin e vendit tonë për kandidat në Bashkimin Evropian. Brukseli zyrtar deklaroi vetëm pak orë më vonë se shqyrtimi i kërkesës do të mund të bëhet vetëm pas zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009. Ecuria e tyre dhe përputhja me standardet ndërkombëtare do të jetë treguesi kryesor për qëndrimin e mëtejshëm të komunitetit ndërkombëtar në raport me aspiratën integruese të Shqipërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›