"Varrezat greke" mbërrijnë në Kuvend
Qeveria ka paraqitur në Kuvend për votim marrëveshjen e bërë me shtetin grek për varret e ushtarëve të rënë në vendin tonë. Tashmë kjo marrëveshje ka marrë trajtën e plotë juridike dhe në formën e një projektligji është depozituar në protokollin e Kuvendit. Marrëveshja përcakton krijimin e dy varrezave ushtarake në Shqipëri për ushtarët grekë të rënë në luftën italo-greke në vitet 1940-1941. Këshilli i Ministrave ka ratifikuar marrëveshjen me Greqinë për ndërtimin e dy varrezave greke në Gjirokastër dhe Këlcyrë. Në relacion është parashikuar një komision i përbashkët ekspertësh mes palës shqiptare dhe asaj greke. Marrëveshja përcakton se do të ketë ekspertë të Mjekësisë Ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të varrosen dhe numri i anëtarëve të komisioneve të përbashkëta do të jetë i njëjtë për të dyja vendet. Pjesë e komisioneve do të jenë edhe ushtarakë e historianë, të cilët do të zgjidhin në mënyrë të përbashkët dhe do të zbardhin çështje që kanë nevojë për njohjen e fakteve historike. Çdo datë 28 tetor do të ketë ceremoni të përbashkët të organizuar nga shteti shqiptar e ai grek dhe do të flitet në të dyja gjuhët.