Torres do të shënojë

Carlo Ancelotti insiston se Fernando Torres do t’i japë fund ‘agjërimit’ të golave dhe do ta gjejë rrjetën, para përfundimit të sezonit në Premierligë. Që nga arritja e tij nga Liverpool në janar, sulmuesi spanjoll ka dështuar të shënojë gol në 871 minuta sa luajti.
Në Angli, bastoret kanë filluar të ofrojnë mundësi për të interesuarit që të vënë bast nëse përfaqësuesi spanjoll do ta shënojë ndonjë gol apo jo në 6 ndeshjet e mbetura të kampionatit anglez. Mirëpo, trajneri italian beson ende në aftësitë e ‘El Ninos’.
“Ai do të shënojë. Mund të shënojë nëse luan. Është e vështirë që ta ndërrojë ekipin që luajti shumë mirë kundër West Brom, kjo është vetëm për rezultat, jo vetëm sa i përket paraqitjes. Po punojmë me të, njëjtë si me sulmuesit tjerë. Mendoj se ai dëshiron të shënojë dhe nuk është i kënaqur me sezonin. Nuk është moment i mirë për Fernandon, por unë do ta përkrah atë gjithmonë”, tha Ancelotti.
Torres i kushtoi pronarit Roman Abramovich mbi 50 milionë euro. Mirëpo, ish futbollisti i Atletico Madridit nuk i arsyetoi as për së afërmi këto para, duke u konsideruar si njëri prej transferimeve më të dështuara në futbollin anglez.