E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tortura ne Siri AI Rregjimi pergjegjes per viktimat

Dhjetëra persona janë torturuar dhe vrarë në qendrat e paraburgimit në Siri . Sipas një raporti të Organizatës për të Drejtat e Njeriut, Amnesty International, gjatë përpjekjeve për shtypjen e lëvizjes së protestave kundër regjimit të presidentit Bashar Al Asad, kanë humbur jetën në burg të paktën 88 vetë. Në shumë raste ka të dhëna të qarta se të burgosurit përpara se të vdisnin ishin torturuar, rrahur dhe gjymtuar, thuhet në një raport të organizatës për të drejtat e njeriut.

88 viktimat, për të cilat ka dijeni Amnesty, përpara burgosjes kishin marrë pjesë në tubime antiqeveritare. Dhjetë prej tyre ishin minorenë të cilët si dhe të burgosurit e tjerë u ishin nënshtruar djegieve, goditjeve me elektroshok e abuzimeve të rënda që kishin ndikuar direkt në humbjen e jetës. Akuzat, e publikuara në një raport të AI vijnë ndërsa qeveria siriane mohoi njoftimet  për të paktën një varr masiv të zbuluar në qytetin e trazuar jugor, Deraa. Mijëra të burgosur të tjerë në Siri sipas Amnesty International gjenden në rrezik jete.

Organizata ka emrat e të paktën 3 mijë aktivistëve të cilët ndodhen në paraburgim ndërsa numri i personave të ndaluar në polici sipas organiztës varion nga 12 mijë në 15 mijë civilë. Organizata i bëri sërish thirrje KS të OKB-së për masa "të forta dhe juridike" ndaj Sirisë ndërsa thotë se gjatë trazirave kanë humbur jetën rreth 1800 persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›