E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikimi i “simetrisë së krimit”

23-12-2010 / Nga Qemal Sakajeva

Le ta themi që në krye të radhëve: akuza e Dick Marty, e risjellë me një raport  për Këshillin e Europës, po zhurmon aq sa dhe libri “Karla Del Ponte: LA CACCIA. Io e i crimminali di guerra” (Karla Del Ponte: Gjuetia. Unë dhe kriminelët e luftës), pa treguar  asgjë të re. Për politikën e pasluftës  të Beogradit, asgjë tjetër nuk ka qenë dhe nuk mbetet  më e domosdoshme se sa trafikimi i “simetrisë së krimit”. Serbia, si vendi europian kolonialist më i voni dhe më i keqi, për t’u shtirë para botës se e drejta ishte me të, bëri shtetin butaforik të forcës: nuk u ul në bisedime dhe u vendos përballë  fuqisë më të madhe ushtarake të kohës - NATO-s. Lufta e stërzgjatur që ndërmori Aleanca e Atlantikut të Veriut qe enkas e atillë - njerëzore, për të mbrojtur popullin e Kosovës nga zhbërja, por edhe për të ruajtur popullin serb të mos vritej, ndërsa mund ta përfundonte për pesë ditë. Serbia pati dy humbje të mëdha: u mund në një luftë mëshiruese dhe vetënxiu fytyrën me një luftë të urryer.
Pas asaj shembjeje të rëndë u miratua kushtetuta në të cilën Kosova llogaritet pjesë e pandashme e territorit të shtetit serb (një propagandë ultranacionaliste për përdorim të brendshëm), ndërsa as serbi i parë i Serbisë dhe as serbi i fundit i Kosovës, nuk besojnë se kthehen më në koloninë e dikurshme. Gjithë këtë dhjetëvjeçar, kemi parë se si Beogradi ka sulmuar Kosovën egërsisht dhe pa armë, vetëm e vetëm për të shpërngulur në Kosovë “simetrinë e krimit”, për të dëmtuar shtetin që ajo e quan “Kurrë!”. Kjo strategji është cituar edhe nga të tjerë, por, pas raportit të Dick Marty, vetë presidenti serb Boris Tadiç, deklaroi plot kënaqësi se “Serbia ka pritur me vite për një raport të tillë”.
Së pari, Beogradi bëri viktimën, para botës dhe Perëndimit. Dhe, deri në një farë mase, është trajtuar si viktimë. Strategjia e Perëndimit, për ta tërhequr Beogradin kah Brukseli e mos e shtyrë edhe më për kah Moska, i bën lëshime e i krijon lehtësira. Pa aktrimin e viktimës, madje të viktimës së zemëruar, Beogradi vështirë të arrinte sa ka shti në grusht.
Së dyti, ashtu siç kundër NATO-s bëri kundërshtarin me luftë, ndaj Brukselit bën sfiduesin e paepur: në BE vetëm bashkë me Kosovën si pjesë e Serbisë, thotë! Kjo duket  te përshpejtimi i lejuar për Serbinë drejt Brukselit, por Brukseli nuk ka mundur ta kushtëzojë Serbinë për Kosovën, si ta zëmë që të njohë shtetin e pavarur; ose edhe më pak që, Serbia të heqë nenin kundër Kosovës në kushtetutën e saj; ose edhe më pak, që serbët e Kosovës të mos pengohen nga Beogradi të marrin pjesë në zgjedhje; ose edhe më pak, të ndërpresë politikën destabilizuese ndaj Kosovës; ose edhe më pak, të mos futet në  marrëdhënie të ndërsjella të karakterit jetësor. Brukseli bën lëshime  me shpresën e joshjes e të fitimit të kohës, por Beogradi fiton terren në integrim pa i lëshuar Brukselit  për Kosovën.
Së treti, vrasësit i duhet të maskojë fytyrën nga një luftë e pështirë dhe e përgjakshme. Përpjekja më serioze ishte me ndërmarrjen e hapave për në Gjykatën Ndërkombëtare . Por, prej Hagës, Serbia u mposht rëndë me drejtësi  aq sa asnjëherë që pas luftës, ky shtet nuk qe vendosur në situatë më të vështirë. Çdo përpjekje tjetër qe e pamundur përveçse risjellja e bombardimi i mendjeve me ndjeshmërinë  ndaj një krimi të urryer të kohëve moderne siç është trafikimi i organeve njerëzore. Aspak e çuditshme se si u ringrit kjo akuzë, e cila qe hetuar nga ekspertë të UNMIK-ut (dmth të OKB), të Tribunalit të Hagës (d.m.th të Gjykatës Ndërkombëtare), të EULEKS (domethënë të BE), pasi atë e pati bërë më parë Karla Del Ponte. Kryeprokuroja Del Ponte nuk arriti ta  dënonte kriminelin më të  madh, sepse pas dy vjetësh në gjykim, Sllobodan Millosheviç mori dënimin vetëm nga Zoti. Atëherë Del Ponte drejtoi gishtin kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e që, pas hetimeve  nuk u vërtetua asgjë.
Së katërti, është interesante të vihet re shënjestra e goditjes.
1. Serba ka një peng të madh, që nuk mundi t’i syrgjynosë shqiptarët nëpër botë dhe të fuste  në varr UÇK. Kjo strukturë luftarake do të trajtohet në historinë serbe si një armike e urryer.
2. Serbia nuk ngopet të përlyej mbrojtësen natyrore të Kosovës - Shqipërinë, Prandaj e vendos “shtëpinë e verdhë” në Mat dhe “shtëpinë misterioze” në Fushë - Krujë, domethënë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo është shumë - shumë e rëndë sepse, nëse Kosova gjendej në luftë, Shqipëria shtet paska lejuar krime monstruoze në dijeninë e saj.
3. Serbia, në mënyrë jo aq të tërthortë, sulmon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi  SHBA është mbështetëse e madhe e pavarësimit të Kosovës dhe e njohjes së saj, siç edhe qe çliruese, duke tërhequr UÇK në bashkëpunim luftarak. Në qershor të vitit 1999 NATO, natyrisht dinte gjithçka, sepse ishte bashkëpunuar me UÇK.
Së pesti, me trafikimin e “simetrisë së krimit”, Serbia synon të prekë një pikë nervore, për të dëmtuar sa më fort shtetin e ri. Kjo shpallet të jetë një përpjekje aq ambicioze e Beogradit sa që, me t’u publikuar akuza e Dick Marty, për në Bruksel u nis menjëherë ministri për bashkëpunim me Hagën, Rasim Ljajiç, i cili tha se, “Serbia kërkon të dalë vetëm e vërteta me këto akuza dhe ky është parakusht për ripajtim në rajon”. Por zëvendësprokurori për krimet e luftës në Serbi, Bruno Vekariç tha për raportin e Dick Marty që “… në raport ndodhen edhe pjesët që i kemi dhënë për dëshmitë lidhur me trafikimin e organeve njerëzore…”..Edhe pse hetimi i trefishtë i mëparshëm nuk vërtetoi asgjë, Beogradi vë në spikamë parakushtin dhe fjalën joshëse ripajtim: ose të barabartë në krim ose s’ka pajtim, domethënë siç në shqip thuhet, “më rrove të rrova, brisku i berberit”. Por vrasësi dhe viktima njihen, ato nuk mund të barazohen. Beogradi nuk do të mundet t’i vërë maskë luftës barbare. Ndërsa shërbyes për trafikim të “ simetrisë së krimit” nuk ka pasur vështirësi për t’i gjetur.
Ngazëllimi serb, sidoqoftë, ndjeu një kovë uji të ftohtë, për të mos kaluar në delir. SHBA përcolli kumtin që, nëse Dick Marty ka diçka të re, t’ia përcjellë EULEX-it , kurse zëvendës-ambasadori amerikan në Prishtinë, Majkëll Mërfi gjatë një vizite në Graçanicë shqiptoi që, “Marrëdhëniet tona me qeverinë e Kosovës janë po aq të fuqishme sa kanë qenë gjithmonë dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë të fuqishme në ecjen përpara”.
Perëndimi e sheh se, ka gati njëmbëdhjetë vjet që Serbia luan ç’mos, sa të mundet e si të mundet, që t’ia bëjë Kosovës jetën vrer e ferr. Prandaj: Të disiplinohet Serbia! Të mos trazohet Kosova. Kjo është formula politike e veprimit.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›