E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikoi për prostitucion 17-vjeçaren, 7 vjet burg për “të fejuarin”

31/03/2005  I pandehuri pranon akuzën

BERAT – Dje, në mesditë, gjykata e Shkallës së Parë e Beratit, dënoi me 7 vjet burg, 36-vjeçarin Idajet Dulme, banor i lagjes “11 Janari”, në Kuçovë. Sipas gjyqtarit Ibrahim Hoxha, mësohet se për Dulmen u provua akuza për “shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”, akuzë kjo e parashikuar nga neni 114/a i Kodit Penal.

Ky është rasti i dytë që gjykata e Beratit dënon me burg për “shfrytëzim prostitucioni” brenda këtij muaj. Disa ditë më parë, nën të njëjtën akuzë, u dënua me 8 vjet burg Artur Rrapi, nga Ura Vajgurore.

Gjykimi

Për gjykimin e Idajet Dulmes, janë dashur 8 seanca gjyqësore për të arritur dje në seancën e fundit, ku prokurori i çështjes, Artan Bejo, ka kërkuar para trupit gjykues dënimin për të arrestuarin me 8 vjet burgë.

Po ditën e djeshme, i pandehuri i gjykuar në gjendje arresti, e pranoi akuzën, për trafikimin e “të fejuarës”. Në këto kushte, avokati i të pandehurit, A.Çuko, i ka kërkuar gjykatës një dënim më të lehtë, duke paraqitur si argument edhe sëmundjen e tuberkolozit (TBC), prej së cilës vuan klienti i tij.

Në përfundim të ballafaqimit të palëve, trupi gjykues, vendosi dënimin e Idajet Dulmes, me 7 vjet burg.

Trafikimi

Sipas dosjes të organit të akuzës, mësohet se 36-vjeçari Dulme është arrestuar nga policia e Kuçovës më 26 gusht të vitit të kaluar, pas denuncimit që i ka bërë 17-vjeçarja D.Kashari, banore e fshatit Perondi.

Pas arrestimit, menjëherë u bë edhe sigurimi i dëshmisë së viktimës nga gjykata, ndërsa, pas kësaj, denoncuesja u largua jashtë vendit dhe ndodhet në një strehë për vajzat e trafikuara, në Belgjikë.

Ngjarja, për të cilin u dënua Dulme, i njohur edhe me emrin e ndërruar Vasil Mile, ka ndodhur 4 vjet më parë, në mesin e vitit 2000. Sipas dosjes hetimore, Kashari ka pohuar se Dulme e ka shfrytëzuar për prostitucion përreth 6 muaj në Milano të Italisë dhe më pas është kapur nga polica dhe është kthyer në atdhe.

Pas kthimit, e shoqëruar nga vëllai i saj, ajo ka bërë edhe denoncimin në polici.

Familja Kashari, viktimë e trafikantëve

Një motër e zhdukur prej vitesh,motra tjetër ka denoncuar tutorin e saj

Familja Kashari banon në fshatin Perondi të rrethit të Kuçovës. Familja është e përbërë nga tri vajza, një djalë i mitur dhe nga dy prindërit, ku babaj i fëmijëve është i sëmurë, i paralizuar.

Në vitin 1997, vajza e madhe e familjes, Elvira është zhdukur në mënyrë të mistershme dhe ende deri sot, nuk dihet asgjë për fatin e saj, nga familja dhe të afërmit, edhe pse e kanë kërkuar. Sipas pohimeve të të afërmve të familjes Kashari, mësohet se vajza është trafikuar disa vite më parë dhe ende nuk është kthyer pranë familjes.

Vajza e dytë, Klarita Kashari, pasi është marrë nga një tjetër njeri i dyshuar për trafik të qenieve njerëzore, është shfrytëzuar për disa muaj rresht në Itali, dhe më pas ka mundur që t’i shpëtoj tutorit dhe është marrë në mbrojtje nga një shoqatë bamirësie në Belgjikë. Edhe Klarita, 25 vjeçe, ka ardhur enkas në Shqipëri dhe ka bërë një denoncim për një 28-vjeçar, i quajtur F.S., i cili vazhdon të ndiqet dhe gjykohet.

Sipas prokurorit Artan Bejo, i cili ka në ndjekje të dy çështjet e dy motrave, të cilat kanë denoncuar tutorët e tyre, mësohet se “në këtë rast trafikantët kanë përfituar se kanë gjetur një familje të dobët nga ana ekonomike dhe pa përkrahje fisnore. Thuajse në të gjitha rastet e gjykimit, organi i akuzës, duke parë shfrytëzimin e trafikantëve, që i kanë bërë viktimave të këtij trafiku, ka përdorur një politik të ashpër dënimi si në rastin e Idajet Dulmes”, saktëson prokurori Bejo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›