E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikojnë vajzën e tyre 17-vjeçare

Nga Express më 30 korrik 2011 në ora 17:00

Një ngjarje e pazakontë, së paku për traditat shqiptare, ka ndodhur në Fushë- Kosovë. Dy prindër shqiptarë janë arrestuar nga policia pasi dyshohet se e dhanë në shfrytëzim për qëllime seksuale, vajzën e tyre 17-vjeçare.

Brahim Sadriu, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka bërë të ditur për Express se prindërit e 17-vjeçares nga Fushë-Kosova, fillimisht kishin raportuar në polici, se vajza e tyre ishte zhdukur.

Por, gjithçka u kuptua, kur prindërit u morën në intervistë. “Gjatë intervistimit është kuptuar se ka elemente të trafikimit me qenie njerëzore”, tregon Brahimi, për Express.

Hetimet e para tregojnë se prindërit po e përdornin vajzën e tyre për përfitime materiale. “Dy prindërit janë arrestuar, dhe në konsultim me prokurorin nëna e vajzës është liruar, derisa babai është ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë”, ka thënë Sadriu.

Prindërit monstruozë nuk kanë pranuar asgjë, ndërsa vajza tashmë është gjetur dhe strehuar nga ana e policisë.

Policia thekson se raste të trafikimeve në Kosovë ka shumë, mirëpo është hera e parë që prindërit trafikojnë fëmijët e tyre.

Kjo dukuri të cilët këta dy prindër kanë ushtruar me vajzën e tyre, dënohet edhe me ligj. Sipas ligjeve në fuqi, personat që kryejnë trafikim seksual dhe punën me detyrim të fëmijëve, dënohen prej 2 deri 12 vjet burg.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›