Trafikonin marijuanë në Gjermani, 3 në pranga

Foto Ilustruese
Tre shtetas të arrestuar dhe 232 kg marijuanë e sekuestruar është bilanci i një operacioni ndërkombëtarë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Gjermane.
Operacioni i koduar Magnum-Al ka vënë në pranga shtetasit, Devis Vasil Lushnjari, 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë përmbarues privat, Armando Agim Cakjaj, 37 vjeç, banues në Tiranë dhe Orest Kristo Tabako, 32 vjeç, banues në Lushnjë.
Sipas policisë këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të Gjermanisë.
Arrestimi i tyre u bë i mundur në sajë të një hetimi mjaft profesional dhe të plotë, të kryer nga strukturat e luftës kundër drogës në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese Gjermane,
Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë në kuadër të një procedimi penal të vitit 2010, pasi më datë 10 mars të vitit 2010 nga Policia Gjermane është sekuestruar një ngarkesë prej rreth 232 kg marijuanë, në kamionin me targa TR0813T dhe TR1914S, si dhe është arrestuar shtetasi shqiptar Kletian Kola.
Gjatë ecurisë së hetimit ka rezultuar se ky shtetas ka bashkëpunuar për trafikimin e kësaj lënde narkotike drejt Gjermanisë me 3 shtetasit e sipërcituar.
Nga operacioni i shtrirë në rrethet Tiranë, Lushnjë dhe Kukës, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar; dy armë zjarri, përkatësisht 1 pistoletë dhe 1 shotgan, shuma prej 2.500 euro dhe 1.700.000 leke te reja, dy autovetura si dhe 5 telefona celular së bashku me kartat sim.