E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretenca, 77 vjet burg e 80 milionë lekë gjobë për “Go West”

Pas tre vitesh hetim dhe gjykim, për të pandehurit e grupit “Go West” kërkohen 77 vjet burg e 80 milionë lekë gjobë, si dhe çlirim nga akuza e “grupit të strukturuar kriminal” për dy të pandehurit, Valbona Canko e Voltan Turtulli. Kjo ka qenë kërkesa përfundimtare e tre prokurorëve të çështjes, Anton Martini, Ervjola Stoja e Behar Dibra lidhur me masat e dënimit për 9 të pandehurit e këtij grupi, të cilët për mjaft kohë arritën me mënyrat e tyre të bënin realitet ëndrrat e mjaft shqiptarëve për të shkuar në shtetet që dëshironin, kundrejt shumave që varionin nga 10 deri në 16 mijë euro. Masat e dënimit që varionin nga 5 deri në 13 vjet janë shoqëruar edhe me gjoba të rënda, nga 8 deri në 10 milionë lekë të reja. Akuzat që rëndonin mbi 9 të pandehurit, dy prej të cilëve ish-oficerë policie në Rinas, kishin të bënin me “grupim të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave kriminale nëpërmjet këtij grupimi”, “falsifikim dokumentesh”, “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm” e të tjera akuza, ndërkohë që për asnjë moment ata nuk i kanë pranuar ato, si gjatë momentit të hetimit, ashtu dhe në gjykimin e çështjes. Fillimisht u fol për një grupim të madh, por që gjatë hetimit u reduktua në 9 të pandehur, pasi pjesa më e madhe e të dyshuarve të implikuar në këtë aktivitetet kriminal, sipas akuzës, i kaluan për kompetencë gjykimi një gjykate të zakonshme, shumë prej të cilëve kanë fituar edhe pafajësinë.

Hetimi

Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 72, datë 01.08.2005, për veprën penale të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 298, parag. 3; 333/a parag. 2 i Kodit Penal. Me vendim, datë 23.06.2006, procedimi penal nr. 72 është ndarë në procedimin penal nr. 72/1 për të cilin është vendosur kalimi i akteve për kompetencë hetimi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të të pandehurve Ylber Xhameta, Demir Shaba dhe Betim Sadikaj. Gjithashtu, në të njëjtën datë është vendosur edhe ndarja e dytë e këtij procedimi në procedimin penal nr. 72/2, për të cilin është vendosur kalimi i akteve për kompetencë hetimi Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të të pandehurve Mihal Gjoka, Artur Rakipi, Arjan Muçaj, Kelti Beshi dhe Abedin Duka. Në datën 13.07.2006 është vendosur ndarja e procedimit penal nr. 72 në procedim penal nr. 72/3, meqenëse hetimet në ngarkim të të pandehurve Nikolin Cako, Edmond Bejko, Eljano Canko, Altin Flamuri, Përparim Kateshi, Valbona Cako, Selman Murati dhe Avdi Leka kanë përfunduar, dhe dërgimin e çështjes për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, si gjykata kompetente për gjykimin e veprave penale për të cilat akuzohen këta të pandehur. Nga hetimet paraprake ka rezultuar e provuar se: I pandehuri Nikolin Canko ka qenë pronar i agjencisë së udhëtimeve “Go West” me vendndodhje tek “Rruga e Durrësit” pranë bllokut të ambasadave në Tiranë. Ky i pandehur në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë organizonte kalimin e paligjshëm të kufirit, të shtetasve të ndryshëm, duke i pajisur me viza, dokumente të falsifikuara, kundrejt pagesës në varësi të linjave të udhëtimit që varionin në shumat 10.500 deri në 16.000 euro. Të pandehurit Edmond Bejko, Përparim Kateshi, Selman Murati merrnin kërkesat nga persona të ndryshëm për të shkuar jashtë shtetit, kërkonin prej tyre dokumentet e nevojshme, vendosin çmimet në varësi të shtetit të destinacionit dhe më pas bisedonin me të pandehurin Nikolin Cako, i cili mundësonte gjetjen ose përshtatjen e dokumenteve të falsifikuara, vinte në dispozicion biletat e udhëtimit, përcaktonte itinerarin e lëvizjes dhe mbante lidhje me bashkëpunëtorë të tjerë në shtetin ku ishte destinacioni i dërgimit. I pandehuri Nikolin Cako kërkonte nga personat që do të niseshin jashtë shtetit pasaportën dhe 2 fotografi ose certifikatë me fotografi, me të cilat më pas realizonte vizën e falsifikuar në pasaportë ose falsifikonte një pasaportë të huaj në emër të shtetasit që do të kalonte kufirin për jashtë shtetit. Veprimtari të cilën i pandehuri Nikolin Cako e realizonte në ambientet e një apartamenti të përshtatur si “laborator” për falsifikimet, një kat më lart se shtëpia ku ai banonte me familjen.

Pikat kufitare nga kalonin klandestinët

Vërtetohet nga provat e administruara deri më tani se i pandehuri Nikolin Cako dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i tij, Edmond Bejko, ndiqnin disa linja të kontrabandimit të njerëzve për jashtë shtetit dhe më kryesoret prej tyre ishin nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Rinas. Nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Rinas klandestinët shkonin në Itali, nga ku niseshin me tren për në vende të ndryshme të Evropës, sipas destinacionit: Gjermani, Danimarkë, Norvegji, Angli etj. Ndërsa kontrabandimi i njerëzve me destinacion SHBA-në realizohej nga Italia drejt Barcelonës, prej nga drejtoheshin për në Meksikë (Loreado Texas), ku klandestinët bënin 6-7 orë rrugë në këmbë për të kaluar kufirin drejt SHBA-së. Në disa raste të tjera, Nikolin Cako i niste klandestinët nga qyteti i Stambollit, Turqi, drejt Antalias, nga ku më pas klandestinët drejtoheshin në vende të ndryshme të BE-së, sipas vendit të destinacionit. Klandestinët i paguanin një pjesë të parave Nikolin Cakos, Edmond Bejkos, kurse pjesa tjetër dorëzohej nga familjarët në momentin e mbërritjes në destinacion. Në disa raste, të pandehurit Edmond Bejko, Valbona Cako dhe Valton Turtulli, në bashkëpunim mes tyre përgatisnin dokumentacionin e falsifikuar dhe organizonin nisjen e shtetasve të ndryshëm për në Antalia, Turqi, nga aeroporti i Rinasit. Pas mbërritjes në Turqi, i pandehuri Nikolin Cako priste klandestinët, plotësonte me vula dokumentet e tyre të udhëtimit, i shoqëronte për në avionin e linjës (Turqi), nga ku niseshin më pas drejt vendeve të ndryshme të BE-së.

Ndihma e oficerëve të policisë

Kalimi i klandestinëve nga Pika e Kalimit Kufitar Rinas favorizohej nga persona nën hetim me ish-detyrë shtetërore në këtë aeroport, nga Eljano Canko me detyrë ish-specialist në Seksionin Kundër Pastrimit të Parave e Krimit Ekonomiko-Financiar në Komisariatin e Policisë Rinas dhe Altin Flamuri, me detyrë ish-kontrollor në Seksionin e Policisë Kufitare dhe Migracionit në Komisariatin e Policisë Rinas. Personat, pasi pajiseshin me viza, “Permesso di Soggiorno” e dokumente të tjera të huaja, të falsifikuara, transportoheshin nga qyteti i Tiranës deri në aeroportin e Rinasit nga i pandehuri Avdi Leka, gjë të cilën e realizonte me makinën e tij tip “Benz Mercedez 200”, me targa gjermane. I pandehuri Avdi Leka, në marrëveshje me të pandehurit siguronte shpeshherë biletat e udhëtimit në agjencitë turistike, të cilat më pas bashkë me pasaportën përkatëse dhe vizën e falsifikuar, ua jepte personave dhe më pas i çonte në aeroportin e Rinasit. Këtu i pandehuri Avdi Leka i orientonte klandestinët se tek cila kabinë e kontrollit duhet të kalonin, sipas marrëveshjes të bërë më parë nëpërmjet të pandehurit Edmond Bejko, Altin Flamurit dhe Eljano Cankos.

Akuzat

“Falsifikim të dokumenteve”

“Falsifikim të letërnjoftimit, pasaportave apo vizave”

“Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”

“Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”

“Prodhim i mjeteve për falsifikim e dokumenteve”, në formën e mbajtjes së tyre

“Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”

“Grup i strukturuar kriminal”

“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”

Të pandehurit dhe masat e dënimit

Nikolin Cako, u kërkua 13 vjet burg e 10 milionë lekë gjobë

Edmond Bejko, u kërkua 12 vjet burg e 10 milionë lekë gjobë

Eljano Canko, u kërkua 11 vjet burg e 10 milionë lekë gjobë

Altin Flamuri, u kërkua 11 vjet burg e 10 milionë lekë gjobë

Përparim Kateshi, u kërkua 5 vjet burg e 8 milionë lekë gjobë

Voltan Turtulli, u kërkua 5 vjet burg e 8 milionë lekë gjobë

Valbona Cako, u kërkua 5 vjet burg e 8 milionë lekë gjobë

Selman Murati, u kërkua 7.5 vjet burg e 8 milionë lekë gjobë

Avdi Leka, u kërkua 7.5 vjet burg e 8 milionë lekë gjobë

U vendos

Voltan Turtulli e Valbona Cako të çlirohen nga akuza e “grupit të strukturuar kriminal”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›