Tepelenë; Arrestohet piromani 58-vjeçar, dogji 3 mijë rrënjë ullinj të vjetër
Me qëllim hapjen e një kullote për bagëtinë, djeg 15 ha tokë, brenda së cilës përfshihen 3 mijë rrënjë ullinj të vjetër, 400 fidanishte dhe sipërfaqe të tëra me shkurre e barishte. Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga piromanin, një 58-vjeçar, i akuzuar si shkaktar të zjarrit të dy ditëve më parë në Tepelenë. Sipas burimeve policore, bëhet e ditur se pas hetimeve paraprake për zjarrin që rrezikoi fshatin në Tepelenë, ka rezultuar se zjarrëvënës është shtetasi Qemal Shehu. “Shtetasi 58-vjeçar, lindur në Tepelenë dhe banues në fshatin Vasjar të këtij rrethi u ndalua me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr”, - thanë burimet e policisë lokale, duke dhënë më tepër detaje rreth ngjarjes. Ky shtetas, sipas policisë, duke kullotur bagëtitë e tij në vendin e quajtur kodrat e fshatit Vasjar të Komunës Fshat Memaliaj, ka vendosur qëllimisht zjarr për të hapur kullota. Zjarri i ndihmuar edhe nga era e fortë është përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe toke rreth 15 hektarë. Si pasojë e flakëve është djegur një parcelë me rreth 3.000 rrënjë ullinj të vjetër dhe një parcelë me 400 rrënjë ullinj fidanishte, ndërsa pjesa tjetër ishte kullotë (shkurre dhe barishte). Me ndërhyrjen e zjarrfikëseve, forcave të policisë së Tepelenës dhe të banorëve, u bë e mundur që pas 3 orëve zjarri të lokalizohej dhe të shuhej plotësisht. Kapja e këtij shtetasi u bë në bashkëpunim me komisariatin e policisë Tepelenë, thanë të njëjtat burime, duke shtuar se ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”.